Kosova

Shumë takime, asnjë deklaratë – Lajçak në Kosovë


Miroslav Lajçak, i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi

Miroslav Lajçak, i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, ka zhvilluar takim me dyer të mbyllura me partitë opozitare në Kosovë.

Kështu diplomati sllovak në ditën e dytë të vizitës së tij në Kosovë ka takuar kreun e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, kreun e Lidhjes Demokratike të Kosovë, Lumir Abdixhiku, dhe Kreun e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Lajçak, në takim me kreun e PDK-së ishte i shoqëruar nga ish-ambasadori i Kosovës në Bruksel, Bernard Nikaj, dhe Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog.

Krasniqi pas takimit me Lajçak, ka folur për deklaratën e Kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe Zëvendëskryeministrin, Besnik Bislimi, lidhur me çështjen e arkivave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke bërë të ditur se UÇK-ja nuk pasur arkiva dhe ky është fakt i ditur botërisht.

Miroslav Lajçak në takim me Kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi

Sipas tij, deklarata për hapjen e arkivave janë të pavërteta dhe po shkaktojnë vetëm konfuzione.

“Qëndrimi ynë sa i përket arkivave është publik. Unë edhe sot me zotin Lajçak e kam ngritur këtë çështje. Ne besojmë që fokusi të jetë te çështjet e mëdha dhe nuk duhet që askush të tentojë me çështje më sporadike të ik nga përgjegjësit që i kanë.

“UÇK-ja nuk ka pasur arkiva dhe ky është një fakt i ditur botërisht. Kushdo tjetër në një formë apo tjetër me qëllim apo qëllim thotë diçka të pavërtetë dhe shkakton konfuzione dhe që mund të jenë në favor të konspiracioneve dhe imagjinatës”.

Ndërsa Kryetari i LDK-së Abdixhiku, në bashkëbisedim me emisarin Lajçak, ka ritheksuar qëndrimin e partisë të cilën ai e drejton në lidhje me dialogun Kosovë – Serbi.

“Dialogu të përfundojë me marrëveshje përfundimtare e cila do të qojë në njohjen e ndërsjellët të të dy vendeve, duke respektuar kufijtë aktual dhe rregullin kushtetues, si dhe në normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërshtetërore”, thuhet në njoftimin e LDK-së.

Miroslav Lajçak, në takim me Kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku

Për mbarëvajtjen e negociatave Kosovë – Serbi, gjatë një bashkëbisedimi me Lajçak ka folur edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Sipas tij procesi i dialogut Kosovë – Serbi duhet të përfundojë me një marrëveshje gjithëpërfshirëse për njohje reciproke, Kosovë-Serbi në kufijtë ekzistues, sepse kjo marrëveshje nëse arrihet jo vetëm që i zhbllokon shumë çështje që kanë mbetur pezull si statusi i vendit kandidat, liberalizimi, kjo marrëveshje e shpejton zhvillimin ekonomik dhe anëtarësimin në NATO.

Miroslav Lajçak në takim me Kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj

Emisari Special i BE-së, Miroslav Lajçak, gjatë ditës së enjte ka zhvilluar edhe një takim me komandantin e KFOR-it, Franco Federici në kuadër të vizitës së tij tre ditore në Prishtinë.

Miroslav Lajçak në takim me komandantin e KFOR-it në Kosovë, Franco Federici.

I dërguari i posaçëm i BE-së, përveç takimeve me krerët e partive opozitare, takoi edhe kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi.

Miroslav Lajçak, në takim me Odën Ekonomike të Kosovës

Në mëngjesin e së enjtes, Lajçaku është pritur edhe nga kreu i Kuvendit, Glauk Konjufca.

“Dialogu duhet të rezultojë me njohje reciproke dhe rendi kushtetues, sovraniteti, integriteti territorial dhe pavarësia e Kosovës janë të panegociueshme”, ka thënë Konjufca.

Miroslav Lajçak në takim me Kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca

Vizitën tre ditore në Kosovë diplomati Lajçak e kishte nisur të mërkurën.

Ai në Prishtinë me 15 shtator kishte takuar Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe më pas edhe zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, me të cilin kishte biseduar për takimin e javës së kaluar në Bruksel dhe përgatitjet për hapat e mëtutjeshëm në kuadër të procesit dialogues.

Vizita e Lajçakut në Kosovë është për herë të tretë për një periudhë kohore për gjashtë muaj.

Ish-kryediplomati sllovak për herë të parë kryeqytetin kosovar e kishte vizituar më 1 mars të 2021-ës.

Po ashtu në Prishtinë kishte ateruar edhe më 31 maj, por që këtë herë kishte qenë në shoqërimin e të Dërguarit të SHBA-së për Ballkanin, Matthew Palmer.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore