Lajme

Shumë kompani ndërkombëtare të interesuara për ankandin solar në Kosovë, thotë Rizvanolli


Artane Rizvanolli

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, nëpërmjet një postimi në llogarinë e saj në “Facebook”, ka thënë se një numër i madh i kompanive, përfshirë ato ndërkombëtare me përvojë e reputacion të lartë, kanë shprehur interesim për ankandin e parë solar të Kosovës prej 100 megavat.

Kështu deklaroi ministrja Rizvanolli teksa njoftoi se së bashku me kryetarin e Rahovecit, Smajl Latifi dhe disa nga investitorët potencialë, vizituan të dielen tokën e ankandit të parë solar fotovoltaik të Kosovës prej 100 megavat, tek Guri i Kuq dhe Kramoviku i Rahovecit.

“Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar që, në bashkëpunim me USAID, të udhëheq një proces konkurrues fer e transparent. Deri tani kemi pasur numër të madh të kompanive të interesuara, përfshirë kompani ndërkombëtare me përvojë e reputacion të lartë”, shkroi ajo.

“Ftoj të gjitha kompanitë kosovare e ndërkombëtare, dhe mërgatën tonë që të shqyrtojnë dokumentacionin e aplikimit, ta ndajnë me investitorët potencialë dhe të dërgojnë pyetjet eventuale përmes kanaleve zyrtare sipas udhëzimeve”, shtoi ministrja Rizvanolli.

Kosova ka prioritetizuar modernizimin dhe përmirësimin e kapacitetit të saj prodhues në sektorin e energjisë përmes investimit dhe zhvillimit të burimeve të ripërtëritshme të energjisë në vend. Ministria e Ekonomisë do të organizojë ankandin e parë solar në muajt në vijim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore