Shqipëria

Shtyhet shorti për renditjen e kandidatëve në fletët e votimit të zgjedhjeve të 14 majit


Një ngërç i ri është paraqitur në dinamikën e zhvillimit të zgjedhjeve vendore të 14 majit 2023, pasi mbledhja e  përcaktuar për të organizuar radhitjen e kandidatëve në fletët e votimit, është shtyrë.

Kështu ka vendosur Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, pas një kërkese nga Partia Socialiste, për të pritur përmbylljen e çdo ankimi në Komisionin e Ankimeve dhe Saksioneve, apo në Kolegjin Zgjedhor.

Sipas arsyetimit, procedura duhet përmbyllur fillimisht në organet e vendimmarrjes, e më pas të kalohet në short.

Mirëpo, me afrimin e datës së hapjes zyrtare të fushatës zgjedhore, e gjitha paraqet një problematikë.

Pikë së pari, duke cituar komisionerin, për faktin se në fushatë, kandidatët duhet të dinë se ku do të jenë të radhitur në fletët e votimit.

Më pas, për faktin se procedurat e shqyrtimit nga KAS dhe Kolegji, në aspektin administrativ, mund të vonojnë përtej kësaj date.

Ndaj, apeli i Celibashit, ishte ai ndaj dy organeve, që të shqyrtojnë sa më parë të jetë e mundur rastet e ankimuara, duke proceduar kështu më tej me shortin.

Në ditën e sotme, ishte parashikuar përcaktimi i renditjes në 11 bashki të vendit: Tiranë, Kamëz, Lushnjë, Durrës, Elbasan, Berat, Fier, Vlorë, Korçë, Lezhë, Shkodër.

Në bazë të radhitjes që çdo parti apo koalicion merr, lidhur me kandidatin e tyre në garë, do t’u bëhet thirrje edhe votuesve, për të vendosur kryqin në atë numër.

Kështu, gjithçka pritet tashmë është përmbyllja e çështjeve në KAS dhe Kolegj, për të proceduar.

Nga ana tjetër, i pyetur lidhur me një çështje të fushatës, ku kryetari i PS-së, Edi Rama, ka deklaruar se gjysma e buxhetit do të shkojë për mbjellje pemësh, Komisioneri ka bërë me dije se në këtë çast, nuk ka koment lidhur me situatën.

Por, në një çast të dytë, kur të kryhet raportimi i shpenzimeve të parave, do të ketë edhe qëndrim.

Një çështje e fundit e trajtuar, ka qenë edhe ajo e rritjes së pagave dhe shpërblimet e pensioneve në javët e fundit nga ana e kryeministrit, ku Celibashi përsëriti të njëjtin qëndrim të tijin.

“Secili mund të ketë komentet e veta në pikëvështrime të ndryshme të këtyre akteve, por ajo çfarë në cilësinë e komisionerit do duhet të vlerësoj, është përputhshmëria në raport me kodin zgjedhor, dhe kemi vlerësuar që ato parashikime ndaluese janë për zgjedhjet e kuvendit të Shqipërisë”, përmblodhi ai, duke i dhënë fund diskutimeve sa i takon kësaj pike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore