Lajme

“Shteti Komoret nuk e ka tërhequr njohjen e Kosovës”


Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, ka thënë se shteti i Komoreve vazhdon ta njohë Kosovën, pavarësisht “‘propagandës parapolitike serbe”.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Pacolli ka paraqitur letrën të cilën ia ka dërguar ministri i Punëve të Jashtme i këtij shteti.

“Kam pranuar një letër nga ministri i Punëve të Jashtme të Komoreve, i cili më siguron se njohja e lidhur njëherë mes nesh, vazhdon e paprekur dhe e shëndoshë, si atëherë kur e arritëm”, shkruan Pacolli.

Sipas Pacollit, deri te kjo erdhi “pas lobimit intensiv dhe udhëtimeve të shumta, kishim arritur që ta sigurojmë njohjen nga Komoret”.

“Propaganda parapolitike serbe kishte tentuar shumë që të ndikojë në këtë shtet që ta tërheqë njohjen dhe ta zhbëjë punën tonë”, ka shkruar Pacolli në Facebook.

Deri më tani sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kosovën si shtet të pavarur e kanë njohur 117 vende.

Ndërsa ditë më parë Kosova ka lidhur marrëdhënie diplomatike me Izraelin. Njohja e Kosovës nga Izraeli erdhi si pjesë e marrëveshjes midis Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuar nga administrata Trump në shtator.

Marrëveshja përfshinte gjithashtu normalizimin midis Izraelit dhe Kosovës dhe që Kosova dhe Serbia të hapnin ambasadat e tyre në Jeruzalem.

Kosova do të ishte vendi i parë me shumicë myslimane që do ta vendos ambasadën e saj në Izrael në Jeruzalem, dhe bashkë me Serbinë do të ishin vendet e para evropiane që e bëjnë këtë.

Deri tani, vetëm SHBA-ja dhe Guatemala kanë ambasadat e tyre në Jeruzalem. Shumica e vendeve kanë zgjedhur t’i vendosin dhe t’i mbajnë ambasadat e tyre në Tel Aviv.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore