Kosova

“Shtetet e tjera rriten nivelin e infeksionit me COVID-19 në Kosovë” – Osmani thirrje diasporës që të vaksinohen


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë për gazetën zvicerane Blick u ka bërë thirrje rreth 200 mijë kosovarëve që gjenden ne Zvicër që të vaksinohen kundër COVID-19.

Osmani po ashtu ka kritikuar autoritetet e Zvicrës duke thënë se një pjesë të fajit e kanë ata që nuk janë vaksinuar qytetarët, raporton gazeta “Blick”.

“Vaksinimi nuk shpëton vetëm jetë, por na ndihmon në luftën kundër këtij virusi vrasës. E mbron edhe ekonominë. Kjo na duhet ne, për t’u rimëkëmbur shoqëritë tona”.

Duke shtuar se, “i bëjë thirrje bashkëkombësve të mi kosovarë këtu në Zvicër, por edhe në Kosovë: ‘Ju lutem të gjithë vaksinohuni!’ Është opsioni i vetëm për të kaluar këtë pandemi”, ka thënë Osmani.

Ndërkaq, në pyetjen nëse po ndjehet fajtore, që personat e rikthyer nga Kosova kanë sjellur virusin me vetë në Zvicër, Osmani ka reaguar, duke thënë se kjo është pjesë e fajit që ata nuk janë vaksinuar në Zvicër.

“Ju po flisni për emigrantët kosovarë në Zvicër. Janë shtetas të vendit tuaj, ata duhej të ishin vaksinuar në Zvicër. Është detyrë e autoriteteve zvicerane, që edhe personat me rrënjë nga vende tjera të bindin për t’u vaksinuar”.

Po ashtu potencoi se, “Të gjithë këta persona është dashur të vaksinohen në Zvicër, para se të udhëtonin në Kosovë. Ne deri në gusht kishim një nivel të ulët të infeksionit, vetëm kur erdhën vizitorët nga Zvicra dhe shtetet tjera u rrit niveli i infeksionit”, ka thënë Osmani.

Sipas Osmanit, Kosova nuk është vendi i vetëm që kishte hequr masat këtë verë.

“Ne nuk ishim vendim i vetëm që zbutëm masat, këtë e bënë shumë shtete tjera në rajon dhe në gjithë Evropën. Pasi numri i të infektuarve ishte shumë i ulët dhe kishte nisur të rritej numri i të vaksinuarve. Por në vend se të fajësojmë njëri-tjetrin, tash ka rëndësi vetëm një mesazh: vaksinimi shpëton jetë. Vaksinohuni, në Zvicër, në Kosovë, në gjithë botën”, deklaroi Osmani.

Situata epidemiologjike me Coronavirus në Kosovë

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të mërkurën e 1 shtatorit në Kosovë ka raportuar 22 persona të vdekur nga COVID-19 dhe një mijë e 894 persona të infektuar.

Numri i të infektuarve vjen nga 14 mijë e 284 mostra të marra nga Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës.

Sipas IKSHPK-së gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar gjithsejtë një mijë e 354 persona.

Raste aktive me COVID-19, janë gjithsejtë 27 mijë e 404.

Numri i të vaksinuarve brenda 24 orëve të fundit është gjithsejtë 15 mijë e 835.

Numri i të vaksinuarve me vetëm dozën e parë të vaksinës anti-COVID është gjithsejtë 557 mijë e 322 ndërsa numri i të vaksinuarve me të dy dozat është gjithsejtë 284 mijë e 269.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore