Përballje

Shqiptarët realizojnë tre gola në fitoren e Konyaspor-it


Sokol Cikalleshi, Zymer Bytyqi dhe Endri Çekiçi janë më meritorët që skuadra Konyaspor po befason të gjithë duke u renditur në vendin e dytë në Superligën e Turqisë (pozitë që dërgon në Ligën e Kampionëve në sezonin e ardhshëm).

Treshja shqiptare arriti të shënojë tre gola (nga një secili) në fitoren e Konyaspor-it, me rezultat 3:0 ndaj Goztepe, në ndeshjen e javës së 31-të të elitës së futbollit turk.

I pari që hapi serinë e golave, ishte sulmuesi i kombëtares shqiptare, Sokol Cikalleshi, i cili me një veprim të bukur në zonën e kundërshtarit, arriti të shënojë për 1:0 në minutën e gjashtë.

Radha më pas ishte për Çekiçin, që realizoi për 2:0 në minutën e 28-të, duke krijuar një komoditet për pushimin mes pjesëve.

Pjesa e parë përfundoi me epërsi të dyfishtë, derisa në të dytën doli në skenë futbollisti i Kosovës, Zymer Bytyqi, i cili shënoi një gol të bukur për 3:0.

https://twitter.com/Anlikgoller35/status/1510627701241126920?s=20&t=h54fGSNRFVyPK8g7-Si82g

Me këto tre pikë, Konyaspor kalon në renditje gjigandin, Fenerbahce, të cilët pozicionohen në vendin e dytë me 58 pikë të grumbulluara.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore