Shqipëria

Ekonomia shqiptare do të rritet me 4.5%


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi se ekonomia do të rritet me 4.5%, vetëm nëse s’do të ketë një valë tjetër të pandemisë, sipas një raporti të sapodalë. Raporti vlerësoi se përpjekjet e qeverisë kanë ndihmuar për të vënë baza për ekonominë në të ardhmen.

Sipas kryeministrit qeveria shqiptare ka vendosur baza për ekonominë të cilat nuk kanë qenë të pranishme më parë. Rama theksoi se ka filluar implementimi i një sërë sistemesh duke filluar me fiskalizimin.

Rama shtoi se taksa mbi biznesin e vogël është zero.

“Kush punon më shumë duhet të marrë atë që i takon. Kjo është sfida jonë e mëtejshme. Flasim për një vend që ka taksim progresiv, kush fiton më shumë paguhet më shumë, kush punon më pak paguhet më pak”.

Kryeministri solli në vëmendje rritjen e pagës minimale në 30 mijë lekë.

Rama foli dhe për procesin e rindërtimit pas tërmetit. Ai tha se Thumana, Fushë Kruja, Vaqarri janë në rindërtim e sipër.

“Shqipëria vendi më i lartë në rajon për krijimin e vendeve të punës. Nga ana tjetër, ajo që ka ndikuar është reagimi i shpejtë i qeverisë dhe mbledhja e shifrave rekord pas tërmetit, si dhe vënia në dispozicion e paketave. Shpërndarja transparente e ndihmës ekonomike, ka forcuar aspekte të demokracisë. Shqipëria bën pjesë në kategorinë e demokracisë me të meta, kjo tregon se vendi ka akoma nevojë për punë”, nënvizoi Rama.

Shpërndarja transparente e ndihmës ekonomike ka forcuar aspekte të rëndësishme të demokracisë në këtë vend.

Kryeministri Rama njoftoi se Shqipëria për herë të parë ka një rritje dhe një kapërcim në Indeksin e Demokracisë dhe Njësinë e Inteligjencës për vitin 2020. Vendi ynë ka dalë nga kategoria regjim hibrid për të kaluar në kategori më të lartë. Në 2006 vendi ka figuruar për herë të parë në The Economist. Është një vlerësim që shënon arritjen më të lartë të indeksit të demokracisë. Shqipëria ka trend rritës në krahasim me vendet e rajonit.

“Në një kohë ku shumë vende kanë përkeqësim, vendi ynë shfaqet përkrah Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Bashkimit Evropian (BE).  Shqipëria është renditur më mirë në raportin për indeksin e korrupsionit sipas Transparence International”.

Rama shtoi se korrupsioni mbetet një problem serioz, megjithatë theksoi se vendi ka përparuar dukshëm.

Kryeministri iu përgjigj edhe disa pyetjeve të drejtuara nga qytetarët. Një nga pyetjet lidhej me procesin e vaksinimit.

Rama u shpreh se Qeveria shqiptare ka bërë më të mirën e mundshme. Për të gjithë situata nuk ka të bëjë me miliarderët apo mundësitë e vendit por ka të bëjë me atë se çfarë po ndodh në Evropë.

“Duhet të jeni krenar për Qeverinë, e cila u la jashtë skemës evropiane për vaksinat, në pritje të ‘Godo Covax-it’ dhe arriti të finalizonte bashkëpunimin me Phizer-in”, u shpreh Rama.

“Drejtësia e re do të jetë e prekshme, kur pas pastrimit të fillojë goditja e gjykatësve dhe prokurorëve të korruptuar”, tha ai në lidhje me procesin e veting-ut.

Kryeministri konfirmoi se po vazhdojnë punimet për rrugën turistike të Thethit.

Në lidhje me lojërat e fatit, kazinotë nëpër lagjje Rama rikonfirmoi se nuk do të hapen.

“Ka shumë asrye për të qenë të pakënaqur, sepse nevoja është për më shumë, por dhe fuqia është për më shumë”, përfundoi Rama.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore