Shqipëria

Shqipëria renditet e shtata në Evropë për nivelin e lartë të ndotjes së ajrit


Kërcënimi më i madh mjedisor për shëndetin e njeriut tanimë njihet botërisht: ndotja e ajrit.

Referuar Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), ndotja e ajrit është përgjegjëse për rreth 7 milionë vdekje të parakohshme në botë çdo vit.

Ekspozimi ndaj ndotjes së ajrit PM2.5 përkeqëson shumë kushte shëndetësore.

Po ashtu ekspozimi ndaj niveleve të larta të grimcave të imëta mund të dëmtojë zhvillimin kognitiv te fëmijët, duke çuar në probleme të shëndetit mendor dhe komplikime të sëmundjeve ekzistuese, duke përfshirë diabetin.

Kështu thuhet në raportin për Cilësinë e Ajrit për vitin 2023, të përpiluar nga IQAir, një organizatë zvicerane që përpunon të dhënat e grumbulluara nga 30 mijë stacione të monitorimit në 134 vende të botës.

Studimi shqyrtoi në mënyrë specifike grimcat e imta, ose PM2.5, që është ndotësi më i vogël, por edhe më i rrezikshmi.

Vetëm 9% e 7 mijë e 812 qyteteve të marra në studim plotësonin standardin e OBSH-së, sipas të cilit nivelet mesatare vjetore të PM2.5 nuk duhet të kalojnë 5 mikrogramë për metër kub.

Sipas raportit, ajri që thithim çdo ditë po përkeqësohet nga viti në vit.

Dhe Shqipëria renditet vendi i shtatë në Evropë për nivelin e lartë të ndotjes së ajrit, ndërsa në botë renditet e 60-ta.

Përqendrimi mesatar vjetor i PM2.5 është 16.7, duke tejkaluar trefishin e kufirit të vendosur nga OBSH.

Ndërkohë vendet e rajonit si Bosnjë-Hercegovina, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia kryesojnë listën si vendet më të ndotura në Evropë.

Kosova renditet në vendin e 17-të.

Tirana – në renditjen e kryeqyteteve për nivelin e ndotjes së ajrit – është në vendin e 51 në botë, pas Shkupit dhe Podgoricës.

Në rajonin e Evropës përfshihen 2 mijë e 6 qytete nga 43 vende.

Pavarësisht nga një rritje e lehtë në nivelet mesatare vjetore të PM2.5, Islanda mbetet vendi më pak i ndotur me një përqendrim mesatar prej 4 µg/m3.

Bosnja Hercegovina pa një rënie prej 18% në nivelet e PM2.5 në vitin 2023 krahasuar me vitin 2022.

Mirëpo mbetet vendi më i ndotur në Evropë, duke raportuar një përqendrim mesatar vjetor prej 27.5 µg/m3.

Estonia dhe Finlanda janë të vetmet vende në rajon që arrijnë nivelin e udhëzimeve vjetore të OBSH-së PM2.5.

Kurse Kroacia tregoi përparimin më të madh në vitin 2023 në uljen e niveleve të PM2.5 me mesataren vjetore që ra më shumë se 40% krahasuar me vitin 2022.

Mali i Zi përjetoi rritjen më të madhe absolute të përqendrimeve të PM2.5 me nivele vjetore që u rritën me më shumë se 4 µg/m3 në vitin 2023 për një mesatare vjetore prej 20 µg/m3.

Nivelet mesatare vjetore të PM2.5 ranë në vitin 2023 për 36 vende të rajonit, u rritën për gjashtë vende dhe mbetën konstante për një vend.

Në vitin 2023, 7% e qyteteve në rajon arritën udhëzimin vjetor të OBSH-së për PM2.5 prej 5 µg/m3.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore