Përballje

Shqipëria përballet me Poloninë, historia nuk flet për kuqezinjtë


Të hënën me 27 mars Kombëtarja Kuq e Zi fillon kampanjën e rregullt kualifikuese për EURO 2024.

Në një grup që përbëhet nga pesë shtete, Shqipëria ndeshjen e parë do ta zhvillojë si mysafir i Polonisë, skuadrës më të fortë në letër në këtë grup.

Përveç tyre, në Grupin E bëjnë pjesë edhe Republika Çeke, Ishujt Faroe dhe Moldavia.

Kundërshtari i parë, Polonia nuk është e panjohur për kuqezinjtë, pasi që në histori janë zhvilluar 10 ndeshje mes tyre.

Bilanci i takimeve të mëparshme fatkeqësisht nuk është në favor të Shqipërisë: asnjë fitore, dy barazime dhe tetë humbje me golaverazh 5:17 në disfavor të kuqezinjve.

Nga këto 10 ndeshje, gjashtë kanë qenë për kualifikuese të Botërorit, dy për kualifikuese të Evropianit dhe dy të tjerat ishin ndeshje miqësore.

Hera e parë që këto dy kombëtare janë ndeshur mes vete, ka qenë viti 1970, pikërisht për kualifikuese Evropiani.

Këtë përballje e fitoi Polonia me shifrat 3:0, kurse në ndeshjen kthyese në Shqipëri rreth një vit më vonë, takimi kishte përfunduar në barazim me shifrat 1:1.

REUTERS/Florion Goga

Në shtatë ndeshjet e fundit kundër kombëtares polake, Shqipëria humbi pesë herë me rezultat të njejtë prej 1:0.

Hera e fundit kur u takuan këto dy kombëtare ishte për kualifikueset e botërorit 2022 ku në ndeshjen e parë në Poloni, vendasit fituan me shifrat 4:1.

Ndërsa në takimin e dytë në Tiranë, Polonia fitoi me shumë fat 0:1 që në fund doli ndeshje vendimtare për Shqipërinë (pasi që në rast barazimi, kishte mundësi të përfundonte në vendin e dytë në grup dhe të shkonte në “Play-Off”).

Thjeshtë është koha për rezultate pozitive kundër Polonisë, me gjithë mungesat dhe presionin që ka Shqipëria, një rezultat i mirë ndaj polakëve do të rriste gjasat që kuqezinjtë t’i shohim për herë të dytë në histori në një Evropian.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore