Shqipëria

Shqipëria, patriarkale për marrëdhëniet e të njëjtit seks?


Sara, një vajzë 26-vjeçare nga Tirana, heziton të flasë për jetën e saj private me miqtë dhe familjen, pasi ata nuk do të mundeshin ta kuptonin tërheqjen e saj ndaj njerëzve të të njëjtit seks.

“Çdo lloj marrëdhënie, që nuk kurorëzohet me krijimin e një familjeje, është krejtësisht e papranueshme”, tha Sara për “Reuters”, e cila dha vetëm emrin për të mbrojtur identitetin e saj.

Ashtu si vendet e tjera të Ballkanit, të cilat synojnë të bëhen anëtare të Bashkimit Evropian, Shqipëria ka miratuar ligje kundër diskriminimit, për shkak të orientimit seksual.

Në një shoqëri kryesisht patriarkale, megjithatë, ata që janë të hapur për orientimin e tyre seksual shpesh gjykohen nga familja dhe miqtë.

Sara thotë se ëndrra e çdo personi, që i përket komunitetit LGBT, është “të dalë hapur për orientimin brenda një rrjeti të ngushtë shoqëror ose familjar”. Megjithatë, për shkak të paragjykimeve, disa njerëz si ajo vendosin të mbajnë një profil larg vëmendjes publike.

Organizata Stream, e cila ofron strehë për anëtarët e komunitetit LGBT, pas një sondazhi, zbuloi se 80% prej 200 të anketuarve LGBT kishin menduar të largoheshin nga Shqipëria.

Shpesh një në dy anëtarë që i përkasin komunitetit LGBT hasin në dhunë psikologjike, ngacmime seksuale, si edhe përdhunime e dhunime. Kjo, sipas një raporti të ILGA-s, organizatë joqeveritare e Shqipërisë. Vetëm 7% e tyre i kanë raportuar incidentet tek autoritetet.

“Një problem tjetër qëndron në aksesin e kujdesit shëndetësor”, tha Xheni Karaj për Reuters, një aktiviste LGBT. “Kur unë shoqërova një transgjinor në spital, mjekët pyetën se pse nuk duhet t’i linin këta njerëz të vdisnin”.

Një raport i vitit 2021, nga Organizata e të Drejtave të Homoseksualëve ILGA, e cila bashkon mbi 600 grupe nga 54 vende në Evropë dhe Azinë Qendrore, tha se diskriminimi ndaj popullatës LGBT në Shqipëri ishte rritur që nga fillimi i pandemisë Covid-19.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore