Sport

Shqipëria nuk do të luajë asnjë përballje sportive me Rusinë


Shqipëria nuk do të luajë asnjë përballje sportive me Rusinë, të paktën deri sa të vazhdojë pushtimi i tyre ndaj Ukrainës.

Këtë e konfirmoi Ministrja e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Olta Xhaçka, përmes konferencës për media, në të cilën Shqipëria u bashkërendua me vendet perëndimore në sanksionimin e Rusisë, pas agresionit në Ukrainë.

“Shqipëria nuk do të marrë pjesë në asnjë përballje sportive me Federatën Rusë, të paktën deri në dhënien fund të pushtimit të Ukrainës”, konfirmoi Xhaçka në mesin e shumë sanksioneve që Shqipëria i vendosi ndaj Rusisë.

Nga kjo lë të kuptohet se dy përballjet e Shqipërisë dhe Rusisë në Ligën e Kombeve nuk do të zhvillohen.

Pra, kuqezinjtë janë shortuar në Ligën B, së bashku me Rusinë, Izraelin dhe Islandën.

Shqipëria ishte planifikuar që pikërisht ndeshjen hapëse të Ligës së Kombeve ta zhvillonte ndaj Rusisë në Shqipëri më 2 qershor.

Ndërsa përballja në udhëtim te Rusia ishte planifikuar që të zhvillohej 11 ditë më vonë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore