Shqipëria

Shqipëria nënshkruan memorandum mirëkuptimi 5-vjeçar me Izraelin


Autoritetet shqiptare kanë nënshkruar një memorandum mirëkuptimi (MoU) më Izraelin për pesë vitet e ardhshme, me mundësi rinovimi.

Lajmi u bë i ditur nga Kryeministria, duke cituar njoftimin zyrtar për shtyp.

Memorandumi, bazuar në vullnetin e përbashkët mes vendeve, është nënshkruar për të çuar më tej bashkëpunimin ndërinstitucional.

Kjo, duke përcaktuar kuadrin e përgjithshëm të bashkëpunimit teknik dypalësh dhe shumëpalësh midis dy vendeve.

Memorandumi i Mirëkuptimit u nënshkrua nga Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC), Ilir Beqaj dhe nga Ambasadorja e Izraelit në Shqipëri, Galit Peleg për Agjencinë Izraelite për Bashkëpunimin Ndërkombëtar për Zhvillim (MASHAV).

“Sektorët prioritarë, subjekt i marrëveshjeve të mëvonshme specifike për programet dhe projektet zhvillimore janë asistencë teknike në bujqësi, turizëm, shërbimet publike, arsim, energji; çështjet gjinore dhe fuqizimin e gruas; mbështetje në shëndetësi për emergjencat dhe traumën; transferimin e teknologjisë për zhvillimin dhe instalimin e novacioneve; mbrojtjes nga katastrofat, etj.”, vijon njoftimi.

Sipas qeverisë shqiptare, instrumentet e dakordësuara për realizimin e objektivave të bashkëpunimit në fushat e mësipërme janë nëpërmjet ndarjes së praktikave më të mira, mbështetjes teknike, shkëmbimit të ekspertëve dhe shkencëtarëve, organizimin e konferencave, ekspozitave dhe krijimit të qendrave kërkimore.

Grupi i përbashkët i punës për zbatimin e Memorandumit të Mirëkuptimit do të mblidhet për të diskutuar programet dhe projektet konkrete, identifikimin e tyre, përcaktimin e kushteve dhe vlerësimin e rezultateve me qëllim maksimizimin e përfitimeve reciproke dhe rekomandime për përmirësime të mëtejshme nëse do të jetë nevojshme.

Marrëdhëniet Shqipëri-Izrael

Shqipëria ka ravijëzuar gjatë muajit janar sërish marrëdhëniet e shkëlqyera me Izraelin edhe pas formimit të qeverisë së Benjamin Netanyahu-t.

Për këtë mjaftoi një takim mes kryediplomatit izraelit Eli Cohen dhe kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në Davos.

Sipas një statusi të postuar në median sociale “Twitter”, Cohen bëri me dije se palët u dakordësuan për bashkëpunimin në tre fusha kryesore.

“U takova në Davos me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. E falënderova për vendimin e rëndësishëm për të ndërprerë marrëdhëniet me Iranin, eksportuesin numër një të terrorizmit në botë. E falënderova gjithashtu për mbështetjen e tij ndaj Izraelit dhe luftën kundër antisemitizmit. Ne ramë dakord të promovojmë bashkëpunimin kryesisht në fushën e sigurisë, mbrojtjes dhe kibernetikës dhe të forcojmë lidhjet midis vendeve”, theksoi ai.

Qeveria e mëparshme e Yair Lapid u dakordësua në fund të muajit tetor se do ta ndihmonte Shqipërinë në luftën kibernetike kundër Iranit, pasi te ky i fundit shihte një armik të përbashkët të sigurisë publike.

Ky u pa si rezultati më konkret i vizitës së kryeministrit Rama asokohe në Jerusalem.

Kreu i qeverisë do të takohej jo vetëm me ish-homologun e tij izraelit, Yair Lapid, po edhe zyrtarë të lartë të shtetit hebre në çështjet e sigurisë kibernetike.

Izraeli është prej vendeve më të zhvilluara në teknologjinë e informacionit dhe luftën kibernetike ndaj Iranit, e ka filluar që në vitet e hershme 2000.

Çështje të tjera do të trajtoheshin po ashtu në tryezë, si zgjerimi i turizmit apo shkëmbimeve tregtare.

Rritja e numrit të sulmeve kibernetike që po kryhen nga Irani kundër Shqipërisë ka çuar në tensione mes dy shteteve, ku Tirana i ndërpreu marrëdhëniet me Iranin në shtator.

Konkretisht më 7 shtator, qeveria shqiptare ndërpreu marrëdhëniet diplomatike.

Asokohe, lajmi u bë i ditur nga vetë Rama, pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave.

Kjo pasi, sipas kreut të qeverisë, Irani ishte përgjegjës i sulmit kibernetik që shkatërroi të dhënat e qeverisë shqiptare dhe mbylli shërbimet.

Irani dënoi “pretendimet e pabaza” të Shqipërisë dhe e cilësoi ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike si të pamenduara dhe dritëshkurtëra.

Kujtojmë që Shqipëria është vendosur krah Izraelit edhe në votime të ndryshme në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi në vigjilje të vitit të ri një rezolutë duke kërkuar mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) mbi pasojat ligjore të pushtimit të paligjshëm të territoreve palestineze nga Izraeli.

Rezoluta u mbështet nga 87 vende anëtare të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Shqipëria dhe 25 vende të tjera votuan kundër dhe u regjistruan 53 abstenime.

Më herët, Shqipëria abstenoi për rezolutën që detyronte Izraelin që të asgjësonte të gjitha armët e tij bërthamore dhe t’i vendosë vendet e tij bërthamore nën kompetencën e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore