Muzikë

Shqipëria mes tingujve të Mesdheut


E përqafuar nga tingujt e Mesdheut, por jo nga fotografia e realitetit.

Kështu do të paraqitet Shqipëria në vazhdën artistiko-historike të “Medifest-it”. Festivalit të shpërndarë në rajonin italian të Puglia-s.

Një përballje kjo, jo e rastësishme. Përkundrazi, e viteve.

Madje, për kuratoren e festivalit, Geri Ballo, ai rikujton edhe një përballje emocionesh.

“Prej 30-vjetorit të nisjes së emigrimit të shqiptarëve drejt Italisë, kur për herë të parë qytetarët në Puglia u gjendën përpara anijeve të zbarkimeve dhe përjetuan emocionalisht në mënyrë shumë të fortë atë moment bashkë me vetë shqiptarët, përballë njëri-tjetrit, kjo është ajo çka do të flitet në festival”, ka treguar ajo për Albanian Post.

Por, jo vetëm kaq. Një vëmendje të veçantë do të marrë edhe e hershmja që qëndron mes dy vendeve.

“Synimi është që të flitet edhe për lidhjet e hershme, ndërthurjen kulturore mes dy brigjeve, do të flitet për Mesapët referuar kohës ilire, do të flitet për Arbëreshët, kjo me shikimin jo vetëm historik, por edhe me atë drejt së ardhmes”, ka zbuluar Ballo.

Për kohën e emigrimit, “Midfest-i” është ndalur më së shumti te krijimtaria letrare dhe artistike

“Natyrisht, do të flitet mbi kreativitetin letrar për shqiptarët e Italisë që emigruan këto 30 vitet e fundit. Lidhur me këtë do të ketë një bisedim ndërmjet një shkrimtareje shqiptare të Italisë dhe një tjetër shqiptari, i cili është Enkel Demi”, ka thënë kuratorja.

Dhe se elementë të këtij lloji do të jenë të shumtë dhe do të shërbejnë për të lartësuar pasurinë e përbashkët kulturore dhe historike.

Ballo i jep një karakter mjaft me peshë kësaj ngjarjeje.

“Është shumë e rëndësishme edhe për vetë faktin se realizohet një shikim i së kaluarës dhe rrënjëve të përbashkëta që na lidhin kaq fort e prej kaq shumë shekujsh dhe një shikimi drejt së ardhmes, drejt gjithë potencialit kulturor, artistik, të përbashkët”, ka ravijëzuar ajo.

Lidhur me pozicionin e Shqipërisë në festival, kuratorja është shprehur se mban një rol qendror. Kjo pasi Shqipëria është vendi i ftuar i këtij viti të “Medifest-it”.

“Sigurisht, ‘Medifest-i’ është një festival mesdhetar dhe në përgjithësi synon që t’i japë hapësirë bisedimeve, thellimeve dhe gjithë ndërthurjeve kulturoro-historike mes brigjeve të shumta të Mesdheut, mes popujve, mes kulturave”, ka treguar ajo.

Dhe kështu, vendi i parë i ftuar është Shqipëria.

Përpos ndërlidhjeve kulturore, më bisedimet që do të mbahen gjatë zhvillimit të festivalit mesdhetar, nuk do të mungojnë as trajtimet me karakter social. Këto, si një përballje me realitetin.

“Nuk do të anashkalohet aspekti social dhe problematikat sociale që janë të pranishme në Shqipëri. Për këtë, Elton Gllava, do të mbajë një ekspozitë, e cila është e fokusuar te qyteti i Bulqizës i ardhur përmes fotove të shkrepura mes minatorëve”, ka zbuluar Ballo.

Gjithashtu ka vijuar se kjo bëhet për të mos treguar vetëm “një Shqipëri me fytyrën e saj më të bukur dhe më të ndritshme. Por, edhe me fytyrën tjetër, e cila ngelet për t’u ndrequr nga të gjithë së bashku”.

Megjithatë, Ballo ka theksuar se shfaqja e imazheve të tilla nuk bëhet për të prishur imazhin e vendit në media, sidomos ato ndërkombëtare, por për të nxitur drejt rregullimit.

Madje, ajo ka thënë se “u duhet kërkuar ndihmë partnerëve të Puglia-s që të jenë në krahun tonë për të ndërhyrë në çështjet sociale, të cilat janë problematike dhe të shumta në numër”.

Interesante do të jenë edhe trajtimet e temave fetare. Këto do të trajtohen me praninë e disa prej figurave fetare të vendit.

Kjo si një dëshirë e organizatorëve për të tejkaluar klishetë e tregimin të shfaqjes sonë jashtë kufijve dhe për t’i dhënë zë në mënyrë direkte vetë protagonistëve.

“Shpresoj që ky bisedim me karakter fetar të jetë i padëgjuar ende nga italianët që do të marrin pjesë lidhur me këtë temë. Le t’i jepet përmes këtij bisedimi pasuri tregimit për harmoninë fetare në Shqipëri”, është shprehur kuratorja.

Ndër të tjera, Ballo ka siguruar se programi i festivalit është tejet i pasur. Dhe se pjesa artistike do të jetë ajo më e rëndësishmja.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore