Shqipëria

Shqipëria inkurajon të gjithë aktorët për qetësimin e situatës në Sudan


Zëvendës ambasadorja shqiptare në Këshillin e Sigurimit, Albana Dautllari, deklaroi se Shqipëria inkurajon të gjithë aktorët rajonalë dhe globalë që të nxisin palët të angazhohen për qetësimin e situatës në Sudan.

Diplomatja shqiptare bëri gjithashtu thirrje për ndalimin e menjëhershëm të të gjitha armiqësive.

Lajmi u bë i ditur gjatë fjalës së Dautllarit në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit për situatën në Sudan.

“Shqipëria është e shqetësuar për luftimet e vazhdueshme që kanë lënë mbi 700 persona të vrarë dhe mbi 4000 të plagosur. Ne i dënojmë fuqishëm këto vdekje midis civilëve, duke përfshirë vdekjen e stafit të OKB-së”, u shpreh fillimisht ajo.

Sipas saj, kjo situatë është një kujtesë e mprehtë e nevojës urgjente për armëpushim të qëndrueshëm në të gjithë vendin dhe rifillimin e negociatave të paqes.

Shqipëria i bëri jehonë thirrjeve të Sekretarit të Përgjithshëm për një armëpushim të menjëhershëm dhe për t’i dhënë fund të gjitha formave të dhunës.

“Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve të rifillojnë dialogun për të ndalur krizën e vazhdueshme dhe për të vënë në plan të parë sigurinë dhe mirëqenien e civilëve. Në këtë kontekst, ne mirëpresim armëpushimin 72 orësh të ndërmjetësuar nga SHBA-të. Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve që të mbajnë përkushtimin e tyre ndaj tij dhe të punojnë drejt zbatimit të marrëveshjeve humanitare”, shtoi Dautllari në fjalën e saj.

Në përmbyllje, diplomatja shqiptare i bëri homazhe të gjithë stafit të OKB-së në terren dhe përshëndeti përpjekjet e vazhdueshme të OKB-së, personelin mjekësor dhe punonjësit e ndihmës humanitare.

Këto, për përpjekjet e tyre të palodhura në ndihmën e të bllokuarve në konflikt dhe evakuimin e personelit të OKB-së dhe shtetasve të huaj.

“Ne u bëjmë thirrje Forcave të Mbështetjes së Shpejtë dhe Forcave të Armatosura të Sudanit që të respektojnë angazhimet e tyre sipas ligjit ndërkombëtar humanitar. Në përfundim, Shqipëria rikonfirmon angazhimin e saj për të qëndruar me popullin sudanez në kërkimin e paqes dhe stabilitetit”, ravijëzoi zëvendës ambasadorja shqiptare në UNSC.

Situata në Sudan

Rreziku në Sudan tani është shpërthimi përfundimtar i luftës civile, me pasoja që mund t’i shpëtojnë vetë qëllimeve të palëve ndërluftuese.

OBSH-ja ngriti alarmin sepse një laborator mjekësor do të kishte rënë në duart e një prej fraksioneve me rrezikun e shpërndarjes së viruseve të sëmundjeve shumë infektive – veçanërisht fruthit dhe kolerës – që mbahen atje.

Alarmi u mor në Ginvera – selia e OBSH-së – nga Nima Saed Abid, kreu lokal i organizatës, përmes lidhjes video nga Khartoum.

Nuk u specifikua se cili nga fraksionet që luftonin në Sudan mori kontrollin e laboratorit, por Saed Abid foli për “rrezik të lartë bakteriologjik pas kapjes së laboratorit që përmbante” patogjenë të fruthit dhe kolerës dhe materialeve të tjera të rrezikshme.

Teknikët u penguan të hynin në laboratorë për të siguruar materialet.

Në vendin afrikan situata vijon të jetë shumë e tensionuar.

Të paktën 21 persona u plagosën pasi spitali Alroomy, në qytetin Omdurman, në veri të Khartoum, u godit nga predha artilerie.

Kjo është bërë e ditur nga burime të agjencisë “Nova” në vend, sipas të cilave shkelje të armëpushimit janë regjistruar edhe në Shambat dhe Khartoum Bahri, gjithashtu në veri të Khartoum-it.

Luftimet në kryeqytet vazhdojnë pavarësisht se sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken deklaroi për një armëpushim 72-orësh.

Palët ndërluftuese, Forcat e Armatosura nga njëra anë dhe Forcat e Mbështetjes së Shpejtë (RSF) nga ana tjetër, akuzojnë njëra-tjetrën për shkelje të armëpushimit.

OBSH-ja ka hartuar një bilanc të përplasjeve të këtyre ditëve: 459 të vdekur, 4 mijë e 72 të plagosur, ndërsa sipas OKB-së, 270 mijë persona mund të ikin nga Sudani në Çad dhe Sudanin e Jugut, duke përkeqësuar urgjencë humanitare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore