Shqipëria

Shqipëria duhet të ndajë pushtetin qendror nga ai lokal


Shqipëria ka arritur progres thelbësor në përpjekjen ndaj decentralizimit, por sërish ka shumë vend për të bërë përmirësime, mbi të gjitha në qartësimin e roleve që pushteti qendror dhe ai lokal kanë si të vetëm.

Është ky përfundimi i raportit të fundit të aprovuar nga Kongresi i Autoriteteve Lokale dhe Rajonale pranë Këshillit të Evropës.

Raporti është prezantuar nga dy bashkëraportues: Xavier Cadoret nga Franca dhe Carla Dejonghe nga Belgjika. Të dy e kanë mirëpritur strategjinë qeverisëse për decentralizimin dhe implementimin e suksesshëm të saj.

Kohështrirja e kësaj reforme ka qenë periudha 2015-2020.

Por, ashtu si ka nënvizuar edhe Dejonghe gjatë raportimit, ka vend mjaftueshëm për t’u përmirësuar.

Gjëja kryesore që duhet bërë, sipas saj, është pikërisht ndarja e qartë mes dy pushteteve. Kjo, duke parë edhe fuqinë e deleguar nga autoritetet lokale, të cilat ushtrojnë praktikisht detyrën nën supervizionin e ministrive të ndryshme.

Pamje nga Kongresi

Kjo gjë sjell dukshëm mungesën e hapësirës për iniciativa vetjake nga pushteti lokal.

Cadoret, nga ana tjetër, nënvizoi faktin se Bashkitë kanë mungesë të theksuar buxheti. Kështu, ato nuk mund të plotësojnë nevojat as për sa u përket burimeve njerëzore të nevojshme. Mbi të gjitha kjo, në zona të thella rurale.

Në rekomandim të kësaj situate, Kongresi ftoi Qeverinë për të vijuar me çështjen e decentralizimit. Po ashtu, të vijojë me harmonizimin e legjislaturës për shpërndarjen e nevojshme të përgjegjësive midis dy pushteteve. Kjo duhet bërë e qartë.

Një rekomandim ka ardhur edhe për autoritetet mbi strukturën e rrogave të shpërndara. Kjo, për të lejuar më shumë fleksibilitet në rekrutimin e stafeve të kualifikuar.

Shqipërisë iu kërkua ndërkohë qartësisht, që të ratifikojë Protokollin shtesë të parimeve që përmbledh Skeda Evropiane e Vetëqeverisjes Lokale.

Si përfaqësuese e Shqipërisë ka qenë e pranishme në takim zëvendësministrja e Brendshme, Romina Kuko.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore