Shqipëria

Shqipëria dhe Izraeli do të rrisin marrëdhëniet në sektorin e mbrojtjes


Ministri i Mbrojtjes në Shqipëri, Niko Peleshi ka nënshkruar Memorandumin e ri të Mirëkuptimit në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes me autoritetet izraelite gjatë vizitës së tij zyrtare në Izrael.

Gjatë të hënës, Peleshi u prit me një ceremoni zyrtare në Ministrinë e Mbrojtjes së Izraelit nga homologu i tij, Yoav Gallant.

Memorandumi është një marrëveshje e nivelit të lartë që krijon një bazë solide ligjore për bashkëpunimin në fushën e sigurisë, mbrojtjes, teknologjisë ushtarake, trajnimeve dhe shkëmbimit të informacionit.

“Zgjerimi dhe intensifikimi i bashkëpunimit, që është kornizuar në çdo dispozitë të marrëveshjes së re do të reflektojë marrëdhëniet e shkëlqyera historike dhe diplomatike si dhe vlerësimin reciprok që populli hebre dhe ai shqiptar kanë për njëri-tjetrin”, vëren njoftimi i institucionit të mbrojtjes.

Bëhet fjalë për një draft të negociuar prej disa muajsh nga stafet respektive me qëllimin dhe dëshirën e mirë për të nisur, tashmë, një epokë të re bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë.

Dy ministrat biseduan në lidhje me zhvillimet më të reja në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë në Ballkanin Perëndimor, Lindjen e Mesme si dhe në Ukrainë.

Peleshi rikonfirmoi vullnetin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe të qeverisë shqiptare për intensifikimin e  bashkëpunimit me Izraelin në fushën e mbrojtjes në mënyrë të veçantë në sigurinë kibernetike, industrinë e mbrojtjes dhe shkëmbimin e informacionit.

Ministri i Mbrojtjes theksoi se qëndrimi i Shqipërisë për Lindjen e Mesme vijon të jetë ai për një rajon në paqe dhe në stabilitet, me një dialog të qëndrueshëm ndërmjet faktorëve, por theksoi se nuk ka asnjë tolerancë për aktet terroriste kundër shtetit të Izraelit dhe popullit të tij, pasi terrori dhe dhuna kundër një populli nuk mund të tolerohet dhe të justifikohet.

Vëmendje të veçantë gjatë diskutimeve mori situata në Ballkanin Perëndimor.

Peleshi vlerësoi mbështetjen që Izraeli i jep Republikës së Kosovës, njohjen e pavarësisë së saj dhe ftoi Gallant për një lobim më të fuqishëm për shtimin e njohjeve ndërmjet vendeve që janë ende skeptike.

Vizita e Ministrit të Mbrojtjes në Izrael do të vijojë me takime të nivelit të lartë.

Marrëdhëniet Shqipëri-Izrael

Shqipëria ka ravijëzuar gjatë muajit janar sërish marrëdhëniet e shkëlqyera me Izraelin edhe pas formimit të qeverisë së Benjamin Netanyahu-t.

Për këtë mjaftoi një takim mes kryediplomatit izraelit Eli Cohen dhe kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në Davos.

Sipas një statusi të postuar në median sociale “Twitter”, Cohen bëri me dije se palët u dakordësuan për bashkëpunimin në tre fusha kryesore.

“U takova në Davos me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. E falënderova për vendimin e rëndësishëm për të ndërprerë marrëdhëniet me Iranin, eksportuesin numër një të terrorizmit në botë. E falënderova gjithashtu për mbështetjen e tij ndaj Izraelit dhe luftën kundër antisemitizmit. Ne ramë dakord të promovojmë bashkëpunimin kryesisht në fushën e sigurisë, mbrojtjes dhe kibernetikës dhe të forcojmë lidhjet midis vendeve”, theksoi ai.

Qeveria e mëparshme e Yair Lapid u dakordësua në fund të muajit tetor se do ta ndihmonte Shqipërinë në luftën kibernetike kundër Iranit, pasi te ky i fundit shihte një armik të përbashkët të sigurisë publike.

Ky u pa si rezultati më konkret i vizitës së kryeministrit Rama asokohe në Jerusalem.

Kreu i qeverisë do të takohej jo vetëm me ish-homologun e tij izraelit, Yair Lapid, po edhe zyrtarë të lartë të shtetit hebre në çështjet e sigurisë kibernetike.

Izraeli është prej vendeve më të zhvilluara në teknologjinë e informacionit dhe luftën kibernetike ndaj Iranit, e ka filluar që në vitet e hershme 2000.

Çështje të tjera do të trajtoheshin po ashtu në tryezë, si zgjerimi i turizmit apo shkëmbimeve tregtare.

Rritja e numrit të sulmeve kibernetike që po kryhen nga Irani kundër Shqipërisë ka çuar në tensione mes dy shteteve, ku Tirana i ndërpreu marrëdhëniet me Iranin në shtator.

Konkretisht më 7 shtator, qeveria shqiptare ndërpreu marrëdhëniet diplomatike.

Asokohe, lajmi u bë i ditur nga vetë Rama, pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave.

Kjo pasi, sipas kreut të qeverisë, Irani ishte përgjegjës i sulmit kibernetik që shkatërroi të dhënat e qeverisë shqiptare dhe mbylli shërbimet.

Irani dënoi “pretendimet e pabaza” të Shqipërisë dhe e cilësoi ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike si të pamenduara dhe dritëshkurtëra.

Kujtojmë që Shqipëria është vendosur krah Izraelit edhe në votime të ndryshme në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi në vigjilje të vitit të ri një rezolutë duke kërkuar mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) mbi pasojat ligjore të pushtimit të paligjshëm të territoreve palestineze nga Izraeli.

Rezoluta u mbështet nga 87 vende anëtare të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Shqipëria dhe 25 vende të tjera votuan kundër dhe u regjistruan 53 abstenime.

Më herët, Shqipëria abstenoi për rezolutën që detyronte Izraelin që të asgjësonte të gjitha armët e tij bërthamore dhe t’i vendosë vendet e tij bërthamore nën kompetencën e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore