Shqipëria

Shqipëria anëtare e Qendrës së Ekselencës për kërcënimet hibride, çfarë do të thotë?


Shqipëria është bërë zyrtarisht shteti i 36-të anëtar i Qendrës Evropiane të Ekselencës së Helsinkit Kundër Kërcënimeve Hibride (Hybrid CoE).

Kështu, duke e plotësuar tablonë e pranimit të të gjithë anëtarëve të Bashkimit Evropian dhe të aleancës së NATO-s, të cilat janë pjesë e kësaj organizate.

Gjatë vizitës së tij në Finlandë, ka qenë ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, ai i cili firmosi memorandumin e mirëkuptimit, ndërsa e cilësoi anëtarësimin e Shqipërisë si një hap të rëndësishëm në angazhimin e vendit tonë për sigurinë e përbashkët me aleatët e NATO-s dhe vendet anëtare të BE-së.

Shqipëria zyrtarisht anëtare e Qendrës Evropiane të Ekselencës kundër Kërcënimeve Hibride në Helsinki

“Vetëm nëpërmjet komunikimit të hapur dhe mbështetjes reciproke, ne mund të zhvillojmë strategji efektive për t’iu kundërvënë këtyre sfidave komplekse dhe për të mbrojtur demokracitë e vendeve tona”, tha ai.

Sipas drejtoreshës së Qendrës Evropiane të Ekselencës, Teija Tiilikainen, me anëtarësimin e Shqipërisë kompletohet anëtarësimi i vendeve të NATO, për qasje të unifikuar kundër kërcënimeve hibride.

Në ditën e dytë të vizitës së tij në Finlandë, Ministri Hasani pati një bashkëbisedim me Grupin e Miqësisë për Shqipërinë në parlamentin finlandez.

Kryediplomati shqiptar theksoi se Shqipëria është mirënjohëse ndaj Finlandës për mbështetjen e fortë të politikës së zgjerimit të BE-së dhe integrimin në BE të Ballkanit Perëndimor.

MEPJ Igli Hasani mbajti gjithashtu një fjalë gjatë vizitës së tij në Shoqatën Paasikivi, mbi rolin jetik të integrimit evropian për stabilitetin dhe prosperitetin e Ballkanit Perëndimor.

Një mesazh lidhur me anëtarësimin ndërkaq, e ka shpërndarë edhe kryeministri shqiptar, Edi Rama, i cili bëri të ditur lajmin.

“Anëtarësimi kompleton pjesëmarrjen e të gjitha vendeve të BE dhe NATO në këtë organizatë, për të mundësuar kështu një qasje të unifikuar mes aleatësh kundër kërcënimeve hibride, Dizinformimit dhe Manipulimit të Informacionit nga Shtetet e Huaja”, shkruan Rama.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore