Lajme

Shqipëri-Serbi pjesë e projektit të OSBE-së: Studentët fitojnë çmimin e parë në festivalin rajonal të gazetarisë


Studentë shqiptarë dhe serbë nga universitetet e Shkodrës dhe Novi Sadit ka fituar çmimin e parë në festivalin rajonal të gazetarisë “Ura mbi edukimin mediatik 2022”. Kjo u bë e ditur nga prezenca e OSBE-së në Shqipëri të martën e 31 majit.

Nëpërmjet një njoftimi zyrtar studentët konkuruan me video, ku përshkruhej ngjashmëria e legjendave të kalasë së Rozafës dhe asaj Petrovaradinit.

“Video-ja u prodhua me teknika të gazetarisë përmes celularit, të cilat studentët i mësuan në një projekt të përbashkët të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri dhe Misionit të OSBE-së në Serbi”, vijonte njoftimi.

Sakaq, theksohej se projekti synonte rritjen profesionale të gazetarëve të rinj në të dyja vendet dhe forcimin e bashkëpunimit mes tyre.

Festivali, i organizuar nga Fakulteti i Gazetarisë i Universitetit të Novi Sadit, mblodhi studentë, ekspertë të medias dhe akademikë nga Beogradi, Zagrebi, Sarajeva, Podgorica dhe Shkodra.

Gjatë tij, studentët e Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” zhvilluan një takim me bashkëmoshatarët e tyre nga Serbia dhe nga rajoni.

Pjesë e këtij takimi ishin edhe këshilltarja në Ambasadën e Shqipërisë në Beograd, Anita Shaqiri, dhe zëvendëskryetare e Misionit të OSBE-së në Serbi, Sarah Groen.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore