Lajme

Shqetësimi i Steve Bannon për të rishkruar rrënjësisht Kushtetutën e SHBA-ve


Ish-strategu i Shtëpisë së Bardhë nën administratën e ish-presidentit Donald Trump, Steve Bannon, është pozicionuar pro lëvizjes për të rishkruar rrënjësisht Kushtetutën amerikane.

Ai i ka kushtuar lëvizjes vëmendjen në episodet e fundit të shfaqjes së tij në internet “The War Room”.

Bannon, i mbështetur nga donatorët miliarderë dhe interesat e korporatave, synon të bindë legjislaturat e vendit të thërrasin një konventë kushtetuese.

E gjitha me shpresën për të përfshirë vlerat konservatore të ekstremit të djathtë në ligjin suprem të vendit.

Në thelb, synimi është që vendi të kthehet në një komb konservator, pavarësisht nga vullneti i popullit amerikan.

Prej kësaj priten të promovohen politika që kufizojnë madhësinë dhe fushëveprimin e qeverisë federale, që lirojnë korporatat nga rregulloret dhe që vendosin kufizime në veprimet e qeverisë në fusha të tilla si aborti, armët dhe emigracioni.

“Tani keni një lëvizje politike që e kupton se ne duhet të ndjekim shtetin administrativ”, ka thënë ai.

Dhe me “shtet administrativ”, ai i referohet përfshirjes së qeverisë federale dhe Kongresit në aspektet qendrore të jetës moderne amerikane.

Ndër to është luftimi i krizës klimatike, vendosja e standardeve arsimore dhe luftimi i pabarazive shëndetësore.

Mark Meckler, i cili drejton një nga grupet më të mëdha që mbrojnë lëvizjen, Konventën e Veprimit të Shteteve (Cosa), ka përshkruar disa nga objektivat kryesore të Bannon.

Meckler është përpjekur të zbulojë natyrën antidemokratike të lëvizjes dhe se qëllimi kryesor i saj është të parandalojë avancimin e politikave progresive përmes zgjedhjeve presidenciale.

“Problemi është se sa herë që administrata kthehet në demokrate – ose progresiste radikale – ne humbasim fitimet. Kështu që duhet bërë rregullimi strukturor”, ka thënë ai.

Ky i fundit përfshin legjislaturat republikane të shtetit që shtyjnë ndryshime konservatore në dokumentin themelor të Amerikës. Dhe duke i vendosur politikat në kushtetutën e SHBA-ve, ata do të bëheshin imun ndaj sfidave elektorale.

Gjatë 12 viteve të fundit, republikanët kanë shtrirë kontrollin e tyre në më shumë se gjysmën e shteteve në vend, duke imponuar një agjendë gjithnjë e më të ekstremit të djathtë.

Tani plani është që dominimi të arrihet në mbarë vendin.

Neni V i Kushtetutës parashtron dy mënyra të dallueshme në të cilat dokumenti bazë i Amerikës, i ratifikuar në vitin 1788, mund të rishikohet.

Të 27 amendamentet që janë shtuar gjatë 244 viteve të fundit kanë ardhur përmes një procesi të udhëhequr nga Kongresi ku dy të tretat e Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit duhet të miratojnë ndryshimet e ndjekura nga ratifikimi nga tre të katërtat e shteteve.

Meckler, duke punuar së bashku me grupet e tjera të fuqishme të interesit, po sulmon rrugën e dytë të Nenit V.

Ai u jep legjislaturave shtetërore fuqinë për të thirrur një konventë kushtetuese, nëse bien dakord dy të tretat e të 50 shteteve.

Modeli i bazuar në shtet për rishkrimin e Kushtetutës amerikane është ndoshta përpjekja më e guximshme nga republikanët e djathtë për të siguruar atë që përbën një sundim konservator të pakicës, në të cilin një pakicë ligjvënësish që përfaqësojnë shtetet rurale më pak të populluara i diktojnë kushte shumicës së amerikanëve.

Ata financohen shumë më mirë nga sa njerëzit mund të mendojnë. Dhe fondet e marra janë ndarë mes grupeve me ndikim te e djathta.

Ato përfshijnë Këshillin Amerikan të Shkëmbimit Legjislativ (Alec), një rrjet politikanësh shtetërorë dhe lobistësh të korporatave, i cili ka marrë thirrjen për një amendament kushtetues për të detyruar Washington-in për kufizime të balancuara buxhetore.

Sakaq, pjesa më e madhe e të ardhurave e kanë origjinën të fshehtë.

Gjatë 12 viteve të fundit, aktivistët republikanë kanë vënë në lëvizje ekstremitetet partizane për të marrë një kontroll të jashtëzakonshëm të legjislaturave shtetërore.

Në vitin 2010, republikanët kontrolluan të dy dhomat me vetëm 14 legjislatura shtetërore. Sot, ky numër është 31.

Nëse arrihet një konventë, plani do të ishte t’u jepej shteteve nga një votë secilit. Nuk ka asnjë bazë ligjore apo historike për një marrëveshje të tillë, por apeli është i vetëkuptueshëm.

Një votë për shtet do t’u jepte shteteve të vogla konservatore rurale si Wyoming peshë të barabartë me shtetet e mëdha progresive të urbanizuara si Kalifornia.

Së bashku, shtetet e vogla do të ishin shumicë dhe kontrolli do t’u kalonte republikanëve.

Një nga idetë më të njohura që qarkullon brenda qarqeve të krahut të djathtë, është se shtetet duhet t’i japin vetes aftësinë për të anashkaluar statutet federale dhe vendimet e Gjykatës Supreme.

Nëse republikanët rimarrin kontrollin, ata do të jenë në gjendje të avancojnë kërkesat e republikanëve radikalë.

Kjo mund të nënkuptojë një hap të shpejtë për një konventë përpara se shumica e amerikanëve ta kuptojnë rrezikun.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore