Sport

Shpresat U-21, Bushi: Lojtarët të vlerësojnë fanellën e kombëtares


Trajneri i Shqipërisë U-21, Alban Bushi, ka folur në konferencë për mediat para ndeshjes që skuadra e tij do të luajë me Çekinë më 6 shtator për llogari të kualifikueseve Evropianit 2023.

Trajneri Bushi ka dalë përpara mediave për të folur në lidhje me listën e lojtarëve dhe pritshmëritë për ndeshjen që skuadra do të luajë ndaj moshatarëve çekë, ku ka folur për grupin, mungesat që ka në këtë ndeshje dhe kundërshtarin që ka përballë.

“Jam shumë i kënaqur që ekipi Kombëtar A ka marrë një pjesë shumë të madhe lojtarësh nga skuadra U-21. Këta radhë janë katër lojtarë, Çepele, Muҫi, Mitaj dhe Broja”, tha tekniku Bushi.

“Unë dua të falenderoj në radhë të parë Drejtorinë Teknike në Federatën Shqiptare të Futbollit sepse jemi nga të paktat skuadra në Europë që kemi një mesatare moshe të vogël, që tregon se është bërë një punë mjaft e mirë, intensive dhe kualitative për të ardhmen e Shqipërisë”.

“Trajneri (Edi) Reja mendoj se ka ekipin më të mirë në historinë e Shqipërisë, për nga cilësia e lojtarëve dhe klubet ku aktivizohen dhe për këtë mendoj se Shqipëria do të bëjë shumë mirë në të ardhmen”.

“Po të shikojmë ekipin e parë dalllojmë se janë 30% e lojtarëve që kanë kaluar nga U-21 këto 3-4 vitet e fundit. Kemi bërë një punë të mirë 10-15 vitet e fundit që po jep frytet e saj”.

“Në lidhje me mungesat për këtë ndeshje duhet të them që na dëmtojnë shumë sepse unë e kisha programuar dhe stërvitjen e ndeshjen pak a shumë me lojtarë si Bullari, Tuci, Marvin Çuni. Dje u dëmtua Kristjan Asllani dhe Anxhelo Ndreçka, që janë në listë”.

“Do të kemi shumë mungesa por lojtarët që do të vijnë, do të bëjnë mirë. Janë lojtarë cilësorë që ne i kemi patur në vëzhgim në vitet e kaluara”.

“Do të bëjmë një ndeshje të mirë ndaj Çekisë dhe unë pres shumë nga këto lojtarë që janë në listë. Është një mundësi që i jepet dhe do duhet ta justifikojnë”.

“Duhet të mos harrojmë që është ndeshje futbolli, e rëndësishme është që lojtarët të japin maksimumin, të zbresin me pasion dhe sakrificë në fushë e të vlerësojnë fanellën e Kombëtares”, përfundoi tekniku i Shpresave.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore