Lajme

Shpëton burri i plagosur në shpellën Brecon Beacons, Uells


Pas dy ditësh në shpellën e Brecon Beacons, Uells, burri i plagosur atje ka shpëtuar.

Agjencia e lajmeve, “BBC”, tregon se ai u ngrit me barelë dhe u duartrokit e brohorit nga shpëtimtarët teksa po dërgohej në ambulancën që e priste.

Ekipi i shpëtimit ka njoftuar se ai ra në shpellën Ogof Ffynnon Ddu pranë Penwyllt, Powys, duke marrë lëndime të shumta.

Mirëpo, tanimë ndodhet në gjendje të mirë.

Gary Evans, oficer ndërlidhës i shërbimeve të urgjencës dhe një nga kontrollorët e incidentit, ka pohuar se “viktima po ecën jashtëzakonisht mirë kur merr parasysh sa kohë ka qëndruar në shpellë dhe sa kohë ka qëndruar në barelë”.

Gjithashtu ka vijuar se “ai për momentin është duke u vlerësuar dhe do të dimë më shumë për të në një kohë të shkurtër”.

Në këtë përpjekje të shpëtimit u përfshinë afro 250 persona.

Një nga shpëtimtarët, Peter Francis, ka treguar se burri ishte “një shpellar me përvojë dhe i aftë” dhe se “ishte çështje e vendosjes së këmbës në vendin e gabuar” ajo që i shkaktoi rrëzimin.

Në Brecon Beacons, kushtet e mjegullta dhe të lagështa bënë që një helikopter i ambulancës ajrore të mos mund të ulej, tregon “BBC”.

Kjo bëri që burri të zhvendosej me barelë nga ekipe të specializuara që punonin me turne.

Në Uells, ky rezulton si shpëtimi më i gjatë i ndërmarrë ndonjëherë në shpellë. Më i gjati kishte qenë një shpëtim prej 41 orësh kurse ky operacion zgjati më shumë se 53 orë.

Sistemi kompleks i shpellave Ogof Ffynnon Ddu është afro 275 metra në pikën më të thellë.

Kështu, rezulton shpella e dytë më e madhe në Uells dhe një nga më të thellët në Mbretërinë e Bashkuar.

Disa nga shpëtimtarët e shpellave që ndihmuan janë të njohur ndërkombëtarisht dhe disa prej tyre kanë udhëtuar deri në North Yorkshire.

Gjithashtu disa u përfshinë në shpëtimin e shpellës Thai në vitin 2018, tregon “BBC”.

Shpellat u zbuluan nga South Wales Caving Club në vitin 1946, sipas Natural Resources Wales dhe përmbajnë një numër përrenjsh dhe ujëvarash nëntokësore.

Ato mund të aksesohen vetëm nga shpellaret me leje nga klubi i shpellave.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore