Lajme

Shpërthimi në Veri shpërfaqë nevojën urgjente për de-përshkallëzim, thotë shefi i EULEX-it


Giovanni Pietro Barbano

Pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës e Bashkimit Evropian, edhe Shefi i Misionit të EULEX-it në Kosovës, Giovanni Pietro Barbano, është deklaruar pas shpërthimit të një granate dore në Veri të Kosovës, të enjten në mbrëmje.

Barbano është pajtuar plotësisht me konstatimin e Ambasadorit të SHBA-ve në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i cili u shpreh i tronditur nga, siç shkroi ai, shpërthimet në shumë pjesë të Kosovës.

Incidentet e tilla, sipas Barbanos, tregojnë se sa e paqëndrueshme është situata në atë pjesë të vendit.

“Incidentet e tilla nënvizojnë nevojën urgjente për të de-përshkallëzuar situatën. EULEX-i dënon çdo formë dhune si të papranueshme”, ka shkruar ai në rrjetin e tij social X.

Policia e Kosovës të premten raportoi për një shpërthim me një granate dore në orën 22:40 në Veri të Kosovë duke theksuar se “përveç dëmeve materiale nuk raportohet për të lënduar”.

Për shpërthimin në fjalë reagoi edhe Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili pretendoi se shpërthimi i një granate dore në Mitrovicë të Veriun mbrëmjen e 21 shtatorit, ishte në shenjë revolte për arrestimin e tre serbëve, nën dyshime për krime lufte.

“Krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë do të ndiqen deri në fund ndërsa hedhja e granatës ushtarake të dorës nga grupet kriminale nuk mund të zmbrapsë drejtësinë”, tha Sveçla.

Sveçla ndër të tjera se “inspirimi, mbështetja dhe urdhri” për shpërthimin “kanë ardhur nga Aleksandër Vuçiç”, ani pse i njëjti nuk ofroi dëshmi për këto pretendime.

Në lidhje me shpërthimin në Veri, reagoi edhe Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, i cili tha se blloku po monitoron situatën me shumë kujdes.

“Sigurisht ne jemi të shqetësuar me vazhdimin e situatës në të cilën nuk ka shtensionim të qartë”, tha Stano duke shtuar se BE-ja është në kontakt me autoritetet kompetente dhe “ne do të reagojmë kur ta vlerësojmë”.

Njoftimi për shpërthim në Veri vjen në kohën kur në këtë pjesë të Kosovës – të banuar me shumicë serbe – tensionet vazhdojnë të jenë të larta që nga fundi i majit.

Sveçla përmendi vetëm njërin, Hovenier i tronditur nga “shpërthimet në shumë pjesë të Kosovës”

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore