Lajme

Shpërthimi i vullkanit islandez bllokon fluturimet


Pas mijëra lëkundjeve sizmike në Islandë, një vullkan inaktiv prej 800 vjetësh ka shpërthyer, duke shtyrë autoritetet ajrore islandeze në pezullimin e fluturimeve.

Vullkani gjendet vetëm 40 kilometra larg kryeqytetit të Islandës, Reykjavik.  Media lokale raportoi se fluturimet hyrëse dhe dalëse do të pezulloheshin në aeroportin e Keflavik-ut.

Situata është shpallur si kod i kuq nga autoritetet. Gjithsesi, turbulenca të pakta vihen re në sizmometër.

Qytetarëve u është kërkuar të ruajnë qetësinë dhe të mos shkojnë pranë vendeve të eruptimit. Rrugët janë lënë të lira në mënyrë që forcat e emergjencave të qarkullojnë lirisht dhe shpejt për të ofruar ndihmat e nevojshme.

Shkencëtarët nga ana tjetër, po punojnë për të frenuar disi rrjedhjen e llavës vullkanike.

Një foto e publikuar nga Ministrja e Drejtësisë në Islandë, Aslaug Arna Sigurbjornsdottir, po qarkullon në rrjet. Pamjet e reve vullkanike janë apokaliptike.

Shpërthimi i vullkanit ishte paralajmëruar prej javësh. Mbi 40 mijë lëkundje sizmike janë ndjerë në Islandë gjatë muajit të fundit.

Gjendja gjithsesi nuk është shqetësuese për pjesën tjetër të Evropës. Në vitin 2011, shpërthimi i një vullkani në Islandë bllokoi një pjesë të madhe të qarkullimit ajror në Evropë.

pamjet e para kanë dalë edhe nga llava që vërshon prej vullkanit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore