Ekonomi

Shpërthimi i Bitcoin – sa po investojnë shqiptarët?


Më 16 dhjetor të vitit të shkuar, kriptovaluta më e popullarizuar, Bitcoin arriti vlerën e 20 mijë dollarëve, pas një udhëtimi të vështirë trevjeçare.

Dy muaj më vonë, më 16 shkurt Bitcoin hyri në zonën e 50 mijë dollarëve, për të parën herë në histori, teksa kërkesa për të ka tendencë të rritet akoma.

Shumë njerëz e kanë të vështirë të kuptojnë se si diçka që ekziston vetëm në mënyrë digjitale mund të ketë vlerë. Përgjigjja për këtë pyetje është shumë e thjeshtë: kërkesa dhe oferta.

Këtë e nënvizon ekonomisti Renato Kola, i cili për Albanian Post tregon lidhjen e drejtpërdrejtë që ka ky binom ekonomik, në çmimin e kriptovalutave, në këtë rast në çmimin e Bitcoin.

“Nëse diçka është e rrallë (e pakët) dhe e dobishme , ajo ka vlerë dhe kërkon një çmim specifik, me të gjitha gjërat e tjera që janë të barabarta”, thotë ai.

Kjo mund të shpjegohet përmes çmimit të arit. Pra, pse ari është i shtrenjtë?

Thënë thjesht, shpjegon Kola, ari është relativisht i shtrenjtë sepse është i rrallë dhe i kufizuar. “Kombinimi i këtyre dy elementeve krijon vlerën me të cilën përcaktohet çmimi bazuar në ofertën dhe kërkesën e tregut”.

Ku hyn Bitcoin në këtë mes?

Ashtu si ari, Bitcoin-i është i pakët, sepse furnizimi i tij është i kufizuar, vazhdon Kola. Momentalisht ka rreth 18 milionë e 631 mijë e 43 Bitcoin në qarkullim, sipas marketit të kriptomonedhave “Coinmarket”, dhe maksimumi që do të ekzistojnë ndonjëherë është 21 milionë.

Kjo, sipas Kolës, i cili vet është investitor në disa kriptomonedha të tjera, domethënë që pas një periudhe kohe s’do të ketë më Bitcoin të ri në treg.

Megjithatë, për të pasur vlerë, Bitcoin duhet gjithashtu të jetë i dobishëm. Kjo monedhë digjitale krijon shërbime në shumë mënyra, vijon shpjegimin e tij ekonomisti.

Ashtu si ari edhe Bitcoin është krejtësisht i këmbyeshëm (një Bitcoin këmbehet me një monedhë tjetër), është i ndashëm (mund të kryhet pagesa me një pjesë të vogël të Bitcoin).

Janë krijuar mijëra biznese në mbarë botën që pranojnë Bitcoin-in si një mjet pagese, duke provuar kështu dobinë në rritje të saj.

Si përcaktohet çmimi i Bitcoin?

“Është ndërveprimi i vazhdueshëm ndërmjet blerësve dhe shitësve që tregtojnë me njëri-tjetrin që përcakton çmimin specifik të Bitcoin dhe gjithçkaje tjetër”, përgjigjet Kola.

Albanian Post mori një deklaratë edhe nga një trader (kështu vetëquhen ata që shesin apo blejnë Bitcoin) në Kosovë, sesi funksionon këmbimi i tyre.

Ai thotë që këmbimet i bën online ose me para në dorë. Mban 2% të shumës së parave që transferon dhe 4% të shumës së parave që tërheq.

E gjithë kjo funksionon fshehtas, pasi sipas tij në Kosovë është e ndaluar këmbimi i kriptomonedhave. Ai tregoi edhe për mënyrën sesi përftohen kriptomonedhat dhe kryesisht Bitcoin.

Pasi krijohen përmes një procesi që lidhet me fuqinë procesuese për të zgjidhur probleme matematikore, transferohen në një llogari personale të njohur si ‘portofol digjital’.

Duke përdorur këtë portofol, ai mund të transferojnë monedhat virtuale internet tek të gjithë të interesuari, ose të bëjë shndërrimin e tyre përsëri në një monedhë të besueshme si euro apo dollar.

Ai tregon që ka arritur të gjenerojë deri në 116 mijë dollar në duke minuar dhe këmbyer Bitcoin dhe monedha tjera kripto.

Pse ndryshon çmimi aq shpesh?

Ekonomisti Kola u pyet edhe për ndryshimet e shpeshta të çmimit të tij. Mjafton të kujtojmë që Bitcoin në muajin mars 2020 ishte 4 mijë e 916 dollarë dhe tani kap vlerat e rreth 52 mijë dollarë.

“Kjo quhet luhatshmëri”, thotë Kola, dhe nuk është vetëm Bitcoin që ndryshon nga dita në ditë.

Çmimi i shumë gjërave, si stoqet, monedhat, nafta dhe shumë produkte të tjera, mund të jenë mjaft të paqëndrueshme.

Ata lëvizin lart dhe poshtë shumë kundër një monedhe bazë si dollari amerikan.

Paralajmërime nga institucione financiare

Autoriteti Bankar Evropian (EBA)  dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) kanë paralajmëruar herë pas herë individët që përdorin monedhat virtuale, siç është Bitcoin.

EBA paralajmëron se klientët nuk janë të mbrojtur nga rregullat, kur përdorin monedhat virtuale si një mjet pagese dhe mund të përballen me rrezikun e humbjes së parave.

Në njoftimin e vet tregon se portofolat digjital që mbajnë monedhat virtuale të klientëve të ruajtur në kompjuterë, laptopë apo smartphone, nuk janë të paprekshëm nga hakerët.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore