Lajme

Shpërthim në një minierë në Serbi: Tetë minatorë të vdekur, 18 të plagosur


Ilustrim

Tetë minatorë kanë vdekur dhe mbi 18 janë lënduar, si pasojë e një shpërthimi pas së cilës një pjesë e gropës është shembur dhe minatorët kanë mbetur të bllokuar në minierën e qymyrit “Soko” afër qytetit të Sokobanjës në Serbi.

Këtë e ka bërë të ditur Ministria e Minierës dhe Energjetikës, duke njoftuar se të gjithë minatorët e tjerë janë nxjerrë jashtë.

Drejtori i Kompanisë Publike për Eksploatim Nëntokësor të Thëngjillit “Resavica”, Sasha Spasic, tha se aksidenti tragjik në gropë të minierës ka ndodhur pak pas orës katër të mëngjesit në pjesën e vendburimit të minierës lindore të fushës në turnin e tretë, gjatë punimeve të rregullta.

Drejtori i minierës, Drago Milinkoviç, tha se masat e sigurisë që po ndërmerren në minierë janë në nivelin më të lartë, por kësaj radhe ka pasur lëshim të papritur të metanit.

Drejtori i Shtëpisë së Shëndetit në Aleksinac, Rodolub Zhivadinoviç, ka bërë të ditur se disa qendra përreth kanë dërguar të gjitha ekipet e tyre për ndihmë, ndërsa disa nga të lënduarit janë transportuar në Spitalin e Përgjithshëm të Aleksinacit.

Drejtori i Spitalit të Përgjithshëm Aleksinac, Goran Vidiç, ka deklaruar për RTS-në se në terren janë katër ekipe shëndetësore.

Ai ka thënë se ka qenë në kontakt me udhëheqësinë e minierës dhe se 49 minatorë kanë qenë në detyrë.

Miniera e Sokos është një kompani publike për nxjerrjen nëntokësore të qymyrit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore