Lajme

Shpërthim në një bankomat në Gjilan – të dyshuarit në arrati


Ilustrim.

Një shpërthim në një bankomat ka ndodhur të hënën në komunën e Gjilanit, ku ka pasur vetëm dëme materiale, teksa të dyshuarit kanë arritur që të largohen.

Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Valon Osmani.

“Me datën 20.11.2023 rreth orës 05:22 jemi njoftuar se në rrugën ‘’Isuf Kika’’ në qytetin e Gjilanit, persona të panjohur për momentin, të maskuar dhe të armatosur, me mjet eksploziv kanë shpërthyer një bankomat të një banke komerciale”.

“Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore relevante, njësiti i hetimeve rajonale, krime teknika dhe njësiti për menaxhim të eksplozivëve nga Policia e Kosovës. Përpos dëmeve materiale në bankomat lëndime trupore nuk ka pësuar askush nga ky rast”.

Osmani ka theksuar se në bazë të hetimeve të para të dyshuarit nga ky rast kanë arritur që të largohen në drejtim të panjohur për momentin pa arritur që të kryejnë vjedhjen.

Ndërsa, ka pohuar se rrethanat e rastit janë duke vazhduar të hetohen nga Policia e Kosovës në koordinim me prokurorin e shtetit.

Rasti nga prokurori i shtetit është cilësuar “Vjedhje e rëndë në tentativë” dhe “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’’.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore