Përballje

Shpërthen blerja e Liverpool-it, shënon katër gola


U kritikua që shpenzuan shumë para për ta sjellë në “Anfield”, megjithatë Darwin Nunez shpërtheu në ndeshjen miqësore që skuadra e Liverpool-it e fitoi me rezultat 5:0 ndaj Leipzig-ut.

Uruguaiani shënoi katër gola me skuadrën e tij të re, teksa u inkuadrua në lojë vetëm në pjesën e dytë.

Mohamed Salah e hapi llogarinë e golave qysh në minutën e tetë të ndeshjes.

Më pas, pjesa e dytë i takoi krejtësisht transferit të ri të “The Reds”, i cili qysh pas inkuadrimit në minutën e 48-të realizoi nga penalltia.

Tre minuta më vonë, Nunez shënoi golin e dytë personal në këtë miqësore, për rezultatin 3:0.

Në minutën e 68-të, ish-ylli i Benficës kompletoi hat-trikun, kurse golin e katërt personal dhe të pestin për Liverpool-in e shënoi në minutën e fundit të ndeshjes.

Kujtojmë që Liverpool-i shpenzoi plotë 75 milionë euro, shumë kjo që pritet të shkojë deri në 100 me bonuse, për ta blerë Nunez-in nga Benfica.

Ai u kritikua shumë nga tifozët e klubit anglez në dy ndeshjet e para miqësore të Liverpool-it, megjithatë me katër golat e sotëm, vështirë që dikush mund ta kritikoj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore