Lajme

Shpërbëhet pas 11 vitesh Fronti Demokratik në Mal të Zi


Andrija Mandiç, Milan Knezheviç dhe Nebojsha Medojeviç

Fronti Demokratik në Mal të Zi – një aleancë populiste e krahut të djathtë, me qëndrime të hapura pro-ruse dhe pro-serbe – zyrtarizoi të dielën shpërbërjen e këtij konglomerati politik pas 11 vitesh, për të vazhduar rrugën në mënyrë të pavarur.

Këtë e bënë të ditur liderët e Frontit Demokratik – Andrija Mandiç (Demokracia e Re Serbe), Milan Knezheviç (Partia Popullore) dhe Nebojsha Medojeviç (Lëvizja për Ndryshim) – nëpërmjet një konference të përbashkët për media.

“Sot, si miq, ne të tre duam t’i dërgojmë një mesazh të ri Malit të Zi se në politikë mund të bëheni bashkë, por edhe të ndani rrugët dhe të shkoni veçmas drejt të njëjtit qëllim”, tha Mandiç në konferencë, transmeton e përditshmja malazeze “Pobjeda”.

Medojeviç nga ana tjetër tha se misioni i Frontit Demokratik ka përfunduar, ngase siç tha ai, së bashku me Mandiç-in dhe Knezheviç-in realizuan qëllimin e përbashkët të  programit politik – pajtimin mes serbëve dhe malazezëve në Mal të Zi.

“Misioni historik i Frontit Demokratik është kryer. Serbët dhe malazezët janë pajtuar, por janë pajtuar në atë mënyrë që t’u bëjnë mirë të gjithëve”, theksoi Medojeviç, ndërsa shtoi se një “sukses” tjetër ishte rrëzimi i Milo Gjukanoviç-it nga pushteti.

“Nëse nuk do të ekzistonte Fronti Demokratik, nuk do të kishte ndryshime në Mal të Zi. Fronti Demokratik është fakt dhe projekt i madh historik. Misioni u realizua. Ka rënë Gjukanoviç-i, ka rënë Partia Socialiste e Demokratëve”, potencoi Medojeviç.

Ndryshe, edhe pse shumica parlamentare në Mal të Zi (Frontit Demokratik, Demokratët dhe URA) pas fitores në vitin 2020 ishin zotuar që të mos ndryshojnë kursin e politikës së jashtme të vendit, ata kanë reaguar ashpër ndaj çdo mbështetjeje të Malit të Zi ndaj Kosovës.

Kujtojmë se Fronti Demokratik në vitin 2018 kishte nisur një peticion për tërheqjen e njohjes së Kosovës, së bashku me një grumbull partish dhe organizatash pro-serbe e pro-ruse, zyrtarë të të cilëve edhe kishin vizituar Mitrovicën e Veriut.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore