Lajme

Shpёrthen vullkani Kilauea në Hawaii


Një nga vullkanet më aktivë në Tokë, Kilauea e Hawaii-t, ka dalë nga vatra.

Lajmin e konfirmoi Shërbimi Gjeologjik Amerikan.

Pamjet në internet treguan gjithashtu kraterin Halemaumau, teksa nxirrte shatërvanë me lavë dhe retë e gazit vullkanik që ngriheshin në ajër.

Shërbimi Gjeologjik Amerikan bёri me dije se, “shpërthimi nuk është në një zonë tё banuar dhe është i përmbajtur tërësisht brenda parkut kombëtar të vullkaneve Hawaii”.

Sidoqoftё, njё paralajmërim ёshtё dhёnё dhe kodi i aviacionit ka kaluar nё tё kuqe.

Më herët, të mërkurën, zyrtarët thanë se, “u zbulua një rritje e aktivitetit të tërmetit dhe fryrje e tokës, duke u ngritur dhe nivelet e alarmit nё pёrputhje me rrethanat”.

Kilauea pati një shpërthim të madh në vitin 2018, që shkatërroi më shumë se 700 shtëpi dhe zhvendosi mijëra banorë.

Para atij shpërthimi, vullkani kishte shpërthyer ngadalë për dekada të tëra, por kryesisht jo në zona të banuara me popullsi të dendur.

Para shpërthimit të madh të vitit 2018, Kilauea, që nga viti 1983, pёsonte shpёrthime tё vogla dhe rrjedhat e lavës mbulonin herë pas here fermat dhe shtëpitë rurale.

Gjatë asaj kohe, llava ndonjëherë arrinte në oqean, duke shkaktuar ndërveprime dramatike me ujin.

Gjatë katër muajve, në vitin 2018, Kilauea hodhi mjaftueshëm llavë për të mbushur 320 mijё pishina me madhësi olimpike, duke krijuar një zonë më shumë se gjysmën e madhësisë së Manhattanit, me deri në 24 metra lavë tani të ngurtësuar.

Shkëmbi i shkrirë i ktheu monumentet, rrugët dhe lagjet në një fushë të madhe me gurë të nxirë dhe copëza vullkanike.

E njëjta zonë e vullkanit, që filloi të shpërthejë të mërkurën, shpërtheu gjithashtu në dhjetor dhe zgjati deri në maj.

Po ashtu, më 20 shtator, në La Palma të Ishujve Kanarie shpërtheu vullkani i quajtur “Cumbre Vieja”.

Ky i fundit kishte që në vitin 1971 që nuk dilte në sipërfaqe.

Si pasojë e vullkanit janë evakuuar 5 mijë persona.

Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, tha se autoritetet po monitorojnë nga afër zjarret që mund të fillojnë nga djegia e llavës. Rojet ushtarake dhe civile janë vendosur për të ndihmuar.

Vatra shtrihet në jug të ishullit La Palma, që banohet nga rreth 80 mijë njerëz.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore