Lajme

Shoqëria civile kërkon shkarkimin e Nexhat Krasniqit: Vendimi i Qeverisë tregon mungesën e vullnetit për të luftuar korrupsionin


Foto: Albanian Post.

Tri organizata të shoqërisë civile, kanë reaguar kundër vendimit të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës për kthimin e Nexhat Krasniqit – të sanksionuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit në pozitën e Drejtorit të Departamentit të Infrastrukturës Rrugore.

Përmes një komunikate të përbashkët nga këto tri organizata është thënë se një “qeverisje e pastërt” nuk do ta bënte kthimin e një zyrtari në pozitë të ngjashme sic ka qenë më herët.

“Llogaridhënia dhe qeverisja me duar të pastra nuk e duron rehabilitimin e figurës së personave të cilët kanë qenë të përfshirë në afera korruptive dhe që janë subjekt i sanksioneve nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, shtet mik i Republikës së Kosovës”.

“Një qasje e tillë dëmton rëndë përpjekjet dhe përkushtimin e SHBA-ve dhe Bashkimit Evropian që përmes asistencës financiare dhe mbështetjes diplomatike për të ndërtuar dhe zhvilluar institucione kredibile, me integritet dhe të përkushtuara për të promovuar kërkesat për një shtet ku korrupsioni dhe dukuritë negative luftohen dhe asesi promovohen”, është thënë nga organizatat.

Një vendim i tillë, sipas këtyre organizatave tregon për mungesën e Qeverisë së Kosovës për të luftuar korrupsionin.

“Vendimi i tillë tregon mungesën e vullnetit të Qeverisë së Kosovës për të luftuar korrupsionin në nivelet më të larta të zyrtarëve publik, dëmton interesin publik dhe dëshmon paaftësinë e drejtuesve të dikastereve të caktuara të qeverisë për t’iu përgjigjur në mënyrë të duhur kërkesave për qeverisje të mirë”.

“Në anën tjetër, drejtimi i punëve publike të rëndësishme siç është infrastruktura rrugore me persona të cilët kanë pasur probleme me ligjin, në rastin e tanishëm me dënim të formës së prerë,  zbeh besimin e publikut në institucionet publike të Kosovës”.

Tri organizatat, Instituti i Kosovës për Drejtësi, Iniciativa për Progres INPO, Lëvizja FOL kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës, që të ndalohet praktika e promovimit dhe rehabilitimit të personave të dënuar për vepra penale korruptive si rrugë e vetme dhe e ruajtjes së integritetit institucional dhe promovimit të shtetit ligjor.

Nexhat Krasniqi i njohur si “baba i tenderëve” është caktuar përkohësisht në pozitën e drejtorit të departamentit të infrastrukturës rrugore në këtë ministri, dy javë pasi pezullua nga pozita e drejtorit të prokurimit në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës pasi ishte sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ministri Aliu e kthen në punë Nexhat Krasniqin – i sanksionuar nga ShBA-ja

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore