Kosova

Shoqëria civile ankohet për “jotransparencë” në përzgjedhjen e anëtarëve në Bordin e OSHP-së


Organi Shqyrtues i Prokurimit.

Grupi për Studime Juridike dhe Politike, Instituti GAP dhe INDEP-i, janë shprehur të shqetësuar “për mungesën e transparencës” dhe “llogaridhënies” në procesin e intervistimit të kandidatëve për pozitën e një anëtari në Bordin e Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP).

Përmes një komunikate të enjten, shoqëria civile ka thënë se më 20 shtator ishte planifikuar që të intervistoheshin dy kandidatë për përzgjedhjen e një anëtari të Bordit të OSHP-së.

Por, që monitorimi i procesit nga CorrWatch është kushtëzuar nga ana e organit të pavarur përzgjedhës, kjo për shkak të kërkesës së tyre për nënshkrim të Deklaratës së Konfidencialitetit.

“Me nënshkrimin e Deklaratës së Konfidencialitetit, CorrWatch do detyrohej që këtë procedurë ta trajtojë në mënyrë konfidenciale, dhe rrjedhimisht, i pamundësohej publikimi i informacionit në rastin kur mund të ketë shkelje potenciale gjatë këtij procesi”.

Reagimi publik i Shoqërisë Civile.

“Sipas organit përzgjedhës, ndarja e çfarëdo informacioni lidhur me mbarëvajtjen e këtij procesi, pas nënshkrimit të deklaratës në fjalë, nënshkruesi i saj do të mbante përgjegjësi penale. Një kushtëzim i tillë dhe përmbajtja e deklaratës nuk ka asnjë bazë ligjore”, thuhet në reagimin e shoqërisë civile.

Sipas tyre, praktika të tilla lënë hapësirë të madhe për keqpërdorim gjatë procesit.

Për shkak të mungesës së bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik (OSHP), edhe 626 lëndë gjatë vitit 2021 dhe 192 gjatë vitit 2022 nuk kishin arritur të trajtohen.

Në dhjetor të vitit 2021, mbi 300 milionë euro kishin mbetur të bllokuara, për shkak se OSHP-ja ishte pa bord.

Situatë e njëjtë, kur OSHP kishte mbetur pa bord, kishte ndodhur edhe në vitin 2013.

Reagimi publik i Shoqërisë Civile.

Për shtatë muaj me radhë, nga muaji korrik 2013 deri në mars të vitit 2014, ishin grumbulluar ankesa dhe bordi i ri nuk i shqyrtoi për shkak të kalimit të afatit ligjor prej 34 ditësh për marrjen e vendimit.

OSHP-ja është organ i pavarur shqyrtues dhe ushtron autoritetin, kompetencat, funksionet dhe përgjegjësitë e përcaktuara në Ligjin e prokurimit publik. Brenda vitit janë rreth 700 milionë euro të buxhetit të Kosovës, të cilat shpenzohen përmes prokurimit publik.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore