Lajme

Shkupi me më së shumti raste aktive me COVID-19


Kryeqyteti i Maqedonisë së Veriut, mban numrin më të madh të qytetarëve të infektuar me COVID-19.

Shkupi ka 5.791 raste aktive, ndërsa Dojrani ka vetëm katër raste aktive. Demir Kapia ka 5, ndërsa Pehçeva dhe Demir Hisari kanë nga 10 raste aktive. Krusheva është me 16 dhe Makedonska Kamenica me 147.

Në 24 orët e fundit në Dibër nuk është regjistruar asnjë rast i ri me COVID-19, krahasuar me të dhënat e muajit të kaluar ku mesatarisht në ditë janë shënuar 10-11 të infektuar.

Spitali i përgjithshëm në Dibër

Në muajin gusht, u regjistruan 357, ndërsa këtë muaj 96 të infektuar të rinj ose gjithsej 453 persona nga dy komunat, Dibër dhe Qendër Zhupë.

Në këtë periudhë raportuese, në listën e të shëruarve janë regjistruar 243 pacientë, ndërsa për fat të keq edhe krahas përpjekjeve të personelit shëndetësor, jetën e humbën 21 pacientë.

“Numri më i madh i të infektuarve të rinj është regjistruar më 27 gusht, 32 persona dhe në javën e fundit të këtij muaji numri i të infektuarve të rinj është një shifror”, ka deklaruar Baki Alili, drejtor i Spitalit të përgjithshëm me aktivitet të zgjeruar në Dibër.

“Kështu, numri i të shtruarve në spital, i cili kaloi 40, po zvogëlohet këto ditë. Aktualisht, 28 persona janë të shtruar në spital në institucionin tonë, 20 prej tyre janë në mbështetje të oksigjenit. Përveç dy pacientëve të moshuar, të tjerët kanë një pamje më të lehtë klinike”, tha më tej Alili.

Ai ka shtuar se numri i atyre që trajtohen në baza ambulatore ka rënë, mesatarisht 12 deri në 15 në ditë.

“Në spitalin modular, i cili është pikë vaksinimi, procesi i imunizimit po zhvillohet pa probleme. Sot morëm një sasi të re prej 1,140 dozave nga Pfizer dhe 500 doza nga Sinofarm dhe AstraZeneka”, shtoi Alili.

Sipas tij në ditë aplikohen mbi 120 vaksina, ndërsa numri i të vaksinuarve deri më tani është mbi 13.500 persona.

Që nga fillimi i pandemisë në Maqedoni janë bërë 1.225.089 testime për coronavirus, ndërsa deri tani me COVID-19 janë diagnostifikuar gjithsej 183.705 persona,  164.383 janë shëruar dhe 6.277 kanë humbur jetën.

Numri i rasteve aktive është 13.045, ndërsa më së shumti raste aktive pas kryeqytetit janë Tetova, Kumanova dhe Gostivari.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore