Shqipëria

Shkreli përjashtohet nga industria farmaceutike dhe gjobitet nga një gjykatë amerikane


Sipërmarrësi farmaceutik i akuzuar për rritjen e çmimit të Daraprim-it, ndryshe Martin Shkreli, është përjashtuar nga industria farmaceutike dhe është gjobitur me 64.6 milionë dollarë nga një gjykatë amerikane.

Ky vendim ka ardhur pasi Komisioni Federal i Tregtisë (FTC) dhe shtatë shtete ngritën një çështje kundër Shkrelit, tregon agjencia e lajmeve “The Guardian”.

Ai ishte shefi ekzekutiv i Turing Pharmaceuticals, një kompani që në vitin 2015 rriti çmimin e Daraprim-it, një ilaç që përdoret për trajtimin e HIV/AIDS, malaries dhe kancerit.

Çmimi i këtij ilaçi u rrit me më shumë se pesë mijë për qind.

Asokohe, skandali arriti të bënte bashkë ish-presidentin amerikan Donald Trump dhe rivalen e tij presidenciale të atëhershme, Hillary Clinton, në dënim.

Trump e quajti Shkrelin një “djalosh të llastuar”, kurse Clinton-i kritikoi ashpër rritjen e çmimit prej tij.

“Ndalimi i një individi nga një industri e tërë dhe kufizimi i kapacitetit të tij të ardhshëm për të siguruar jetesën në atë fushë është diçka serioze dhe duhet bërë me kujdes”, ka shkruar gjykatësja e qarkut amerikan Denise Cote në një vendim prej 135 faqesh.

Sipas saj, “sjellja e paligjshme, e qëllimshme, e përsëritur dhe e rrezikshme e Shkrelit kërkon vendosjen e një urdhri të këtij qëllimi”.

“Shkreli e përqendroi sipërmarrjen e tij të re në blerjen e barnave me burim të vetëm që ishin opsioni standard i artë i trajtimit për sëmundjet kërcënuese për jetën me një popullatë të vogël pacientësh dhe trajtime alternative inferiore, me synimin për të rritur çmimet e tyre, për të bllokuar konkurrencën dhe për të korrur fitime të jashtëzakonshme”, ka theksuar gjykatësja.

Ishte viti 2018 kur ai u dënua me shtatë vjet burg për mashtrim me letrat me vlerë.

Edhe pse në burg, Shkreli vazhdoi të rriste çmimin e Daraprim-it.

Letitia James, prokurorja e përgjithshme e New York-ut, ngriti çështjen kundër Shkrelit në janar 2020, duke e akuzuar atë për sjelljen monopolistike në mbajtjen e çmimit të ilaçit të lartë.

Asaj iu bashkua FTC-ja dhe prokurorë të tjerë të përgjithshëm.

“Të fuqishmit nuk arrijnë të vendosin rregullat e tyre, pavarësisht se Shkreli mendon se paraja sundon gjithçka rreth tij”, ka shkruar ajo në platformën Twitter.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore