Lajme

Shkencëtarët japin ‘paralajmërimin përfundimtar’ për krizën klimatike


Shkencëtarët kanë dhënë një “paralajmërim përfundimtar” për krizën klimatike.

R gjitha kjo, pasi rritja e emetimeve të gazeve serrë e shtyn botën në prag të dëmit të pakthyeshëm që vetëm veprimet e shpejta dhe drastike mund ta shmangin.

Paneli Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike (IPCC), i përbërë nga shkencëtarët kryesorë të klimës në botë, përcaktoi pjesën e fundit të raportit të gjashtë të vlerësimit të madh.

Rishikimit gjithëpërfshirës i njohurive njerëzore për krizën klimatike iu deshën qindra shkencëtarëve, tetë vjet për t’u përpiluar dhe shtrihet në mijëra faqe.

Por u përmbledh në një mesazh: vepro tani, ose do të jetë tepër vonë.

“Ky raport është një thirrje qartësuese për të përshpejtuar përpjekjet masive të klimës nga çdo vend dhe çdo sektor dhe në çdo kornizë kohore”, ka theksuar Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres.

IPCC përcaktoi shkatërrimin që tashmë është shkaktuar në pjesë të botës.

Moti ekstrem i shkaktuar nga përkeqësimi i klimës ka çuar në rritje të vdekjeve nga valët e të nxehtit në të gjitha rajonet, miliona jetë dhe shtëpi të shkatërruara nga thatësira dhe përmbytje, miliona njerëz që përballen me urinë dhe “humbje gjithnjë e më të pakthyeshme” në ekosistemet vitale.

Raporti është thuajse i sigurt se do të jetë vlerësimi i fundit i tillë teksa bota ka ende një shans për të kufizuar rritjen e temperaturës globale në 1.5 gradë Celsius mbi nivelet para-industriale.

“Ky raport është padyshim një paralajmërim përfundimtar”, ka thënë Kaisa Kosonen, një eksperte klimatike në Greenpeace International.

Mbi 3 miliardë njerëz jetojnë tashmë në zona “shumë të cenueshme” ndaj prishjes klimatike, zbuloi IPCC, dhe gjysma e popullsisë globale tani përjeton mungesë të rëndë uji për të paktën një pjesë të vitit.

Në shumë zona, paralajmëroi raporti, ne tashmë po arrijmë kufirin në të cilin mund të përshtatemi me ndryshime të tilla të rënda dhe ekstremet e motit po “po nxisin gjithnjë e më shumë zhvendosjen” e njerëzve në Afrikë, Azi, Amerikën e Veriut, Qendrore dhe Jugore dhe në jug të Paqësorit.

Të gjitha këto ndikime janë vendosur të rriten me shpejtësi, pasi ne nuk kemi arritur të kthejmë tendencën 200-vjeçare të rritjes së emetimeve të gazeve serrë, pavarësisht paralajmërimeve prej më shumë se 30 vjetësh nga IPCC, që publikoi raportin e parë në vitin 1990.

Megjithatë ka ende shpresë për të qëndruar brenda ptagut prej 1.5 gradë Celsius, sipas raportit.

Hoesung Lee, kryetar i IPCC, ka treguar se raporti nënvizon urgjencën për të ndërmarrë veprime më ambicioze dhe “tregon se, nëse veprojmë tani, ne mund të sigurojmë ende një të ardhme të qëndrueshme për të gjithë”.

Temperaturat tani janë rreth 1.1 gradë Celsius mbi nivelet para-industriale, zbuloi IPCC. Nëse emetimet e gazeve serrë mund të arrijnë kulmin sa më shpejt të jetë e mundur dhe reduktohen me shpejtësi në vitet në vijim, mund të jetë ende e mundur të shmangen dëmtimet më të këqija që do të pasonin një rritje prej 1.5 gradë Celsius.

Guterres u bëri thirrje qeverive të ndërmarrin veprime drastike për të reduktuar emetimet duke investuar në energjinë e rinovueshme dhe teknologjinë me karbon të ulët.

Ai theksoi se vendet e pasura duhet të përpiqen të arrijnë zero emetimet neto të gazeve serrë “sa më afër vitit 2040”, në vend që të presin afatin e vitit 2050 deri në të cilin shumica janë regjistruar.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore