Lajme

Shkeljet procedurale në rastin Dehari, pezullohet nga puna kryeinspektori Ylber Topalli


Flamur Pireva, këshilltar i ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se mbi bazën e gjetjeve në raportin e Inspektoratit të MD-së, Komisioni Disiplinor ka marrë vendim për pezullimin nga puna të Kryeinspektorit të Inspektoratit, Ylber Topalli.

“Procedura disiplinore ndaj Topallit është iniciuar për pretendimet e shkeljeve të rënda procedurale që janë të ndërlidhura me rastin e ngjarjes së Astrit Dehari, që kishte ndërruar jetë në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, më 5 nëntor 2016”, ka njoftuar Pireva.

Ai ka treguar se pas konstatimit të gjetjeve të raportit të cilat i kanë proceduar edhe në Prokurori të Shtetit, “bëjmë thirrje dhe theksojmë nevojën e vazhdimit të procedurave hetimore për trajtimin e mëtutjeshëm të të gjitha rrethanave deri në zbardhjen përfundimtare të këtij rasti”.

Konferenca e Haxhiut dhe hetimi i Inspektoratit të MD-së: A u zbulua diçka e re për rastin e Astrit Deharit?

Më 12 shtator, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha në konferencë për media se vetëm para një muaji ka filluar një hetim nga Inspektorati i kësaj ministrie për të kuptuar më shumë se çfarë ndodhi në rastin e vdekjes së Astrit Deharit.

“Raportin e kemi marrë para 10 ditësh, dhe periudha kohore prej kur ka nisur ky raport (hetim) është brenda një muaj”, tregoi Haxhiu.

Zbardhja e rastit të Astrit Deharit ka qenë një nga premtimet elektorale të Lëvizjes Vetëvendosje.

Dehari ishte anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje, i arrestuar bashkë me disa pjesëtarë të tjerë të kësaj lëvizje, nën akuzat se kanë sulmuar Kuvendin e Kosovës.

Dehari vdiq në burg. Zyrtarisht u konstatua se ka bërë vetëvrasje, por Vetëvendosje ishte e bindur se dikush e ka vrarë atë. Nga atëherë, provat janë dërguar edhe në institute jashtë vendit, por nuk është arritur të konstatohet se ka pasur persona të tjerë të përfshirë në vdekjen e Deharit.

Familja e tij, qysh nga vdekja, po vazhdojnë betejën për zbardhjen e rastit. Ata, njëjtë si Vetëvendosje, janë të bindur se dikush ua vrau djalin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore