Lajme

Shkeljet e ministres – “Nëse Kurti dhe mazhoranca heshtin për Rozeta Hajdarin, ata janë pas saj”


Ferat Shala, Deputet i Partisë Demokratike të Kosovës

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, në emër të grupit parlamentar të partisë, ka shpalosur shkeljet e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë e Tregtisë, e cila udhëhiqet nga Rozeta Hajdari, duke kërkuar kështu hartimin e një rezolute të përbashkët për shkarkimin e saj.

Shala tha se, nëse institucionet e vendit dhe kryeministri Kurti, nuk reagojnë pas shpalosjes së keqpërdorimeve dhe shkeljeve ligjore, duke e shkarkuar Hajdarin nga detyra e Ministres, atëherë lenë të kuptohet se ai ose dikush tjetër “i fortë” ne qeverinë e Kurtit, po e mbron dhe përkrahë atë dhe veprimet e sajë të kundërligjshme.

“Projekti Bankës Botërore –CERP- në vlerë prej 15 milion euro i keq menaxhuar, duke favorizuar disa biznese e anashkaluar disa të tjera meritore, duke ri-destinuar këtë projekt”.

“Skandali i radhës”, vazhdon numërimin e shkeljeve e skandaleve, deputeti Shala nga foltorja e Kuvendit të Kosovës, “është skandali i Dubait EXPO 2020, ku 8 muaj ditë artefaktet e Kosovës mbeten në Dubai ndërsa kabineti qeveritar kthehet, e pas 8 muajsh ato kthehen pa e ditur saktë se si është gjendja e tyre. Pra një ministre e cila i lë artefaktet më kryesore historike origjinale në Dubai, 8 muaj ditë”.

Emërimi dhe shkarkimi i 7 sekretarëve.

“Një ministri që brenda një gjysmë mandati dy vjeçar emëron dhe shkarkon 7 sekretarë permanent, do të duhej të reflektonim të gjithë ne për të ditur se çfarë po ndodhë? Çka janë ata njerëz dhe çka është kjo ministre që operon me njeriun kështu në këtë formë në mënyrë të paligjshme dhe të pa dinjitetshme?”, pyet Shala.

Angazhimi i ekspertëve me pagesë 1 mijë euro ditën.

“Sot në Kosovën me ekonominë të cilën e dimë të gjithë, kjo ministri angazhon ekspertë për hartimin e strategjisë së industrisë, 1 mijë euro ditën, ju them që me pas qenë strategji për NATO-n, 1 mijë euro ditën është kosto e lartë”.

Nënshkrimi i jashtëligjshëm i kontratës për investitorin strategjik.

“Tashmë është vërtetuar se dokumentacioni final është nënshkruar pa garancion bankarë dhe vetëm pas reagimit tonë, katër muaj pas reagimit tonë, sigurohet një letër e cila nuk i plotëson as konditat ligjore e as praktike dhe dëshmon atë që ne kemi thënë se është i jashtëligjshëm nënshkrimi e investimi e çdo gjë tjetër”.

Zhvleftësimi i rregullores për investimet strategjike.

“Dështimi i radhës i cili mbetet jashtë çdo komponentë ligjore, pa u marrë përgjigja për investitor strategjik të cilët sot dhjetëra prej tyre me shuma rreth 1 miliard euro për energjinë, industrinë, minerale e kështu me radhë janë larguar nga Kosova pikërisht për faktin që në këtë këshill ndërministror e ka udhëhequr kjo ministre. Asnjë rezultat në këtë sektor, përkundër zhvleftësim dhe degradim i shtetit”.

Keqmenaxhimi i rezervave shtetërore është skandali i radhës.

“Ne deri më sot e kemi ditur për keqmenaxhmin e rezervave shtetërore të grurit dhe kemi folur shumë herë, por fatkeqësisht ky keqmenaxhim po vazhdon. Sot e kemi skandalin e radhës, keqmenaxhimi i vajit ushqimor, pikërisht gjatë fazës kur parimisht kanë qenë aferat më të mëdha për ngritjen e çmimeve, sot kemi një aferë tjetër e pa zbuluar ende, ku rreth 200 mijë litra vaj të kontraktuar nga një kompani perëndimore e një shtetit mik, nuk janë ardhur. Pagesa është kryer dhe tash e një vit e gjysmë vaji për rezervën shtetërore, nuk po hy më tutje sepse po cenojmë sekretin e ministres, nuk kanë ardhur në Kosovë. Është pyetje logjike, çka po ndodhë me rezervat shtetërore?  Pjesa e atyre shtetërore është në rregull, por çka po ndodhë me ato që janë kontraktuar nga jashtë?”, shprehet Shala.

Ngritja e aktakuzës nga prokuroria e shtetit për mos deklarim të pasurisë është shkelja e radhës, vazhdon deputeti Shala.

Më tej ai përmendi “dëmtimi i jashtëzakonshëm i imazhit të shtetit në gazetën franceze”.

“50 mijë kopje të gazetës franceze qarkullojnë sot në të gjithë globin, ndërsa ministria jonë e ka subvencionuar e ka paguar një diçka që është krejt anti kushtetuese, antiligjore, anti jetike dhe anti historike”.

Rritja e importit gjatë këtij mandati qeverisës rreth 360 milion si asnjëherë tjetër, nga shteti i Serbisë.

“Asnjëherë nuk kemi pasur një import kaq të lartë, shihni statistikat e entit statistikor të Kosovës, ku importet nga Serbia janë rreth 360 milion brenda vitit 2022”.

“Emërimet, shkarkimet dhe presioni mbi administratën është dukuri e kësaj ministrie, për të nënshkruar afera korruptive e të paligjshme ka arritur që sot pjesa dërmuese e kësaj ministrie janë me ushtrues detyre dhe asnjë nuk e përfundon më shumë se 2-3 muaj pozicionet e larta, përveç n ato sektorë ku punon ngushtë në afera korruptive”.

Çka duhet të bëjë ne sot? – pyet Ferat Shala, kolegët e tij në kuvend.

Nuk është vetëm çështje opozitare, thotë ai, “është çështje ekonomike, sociale, investive dhe kapitale”.

“Çka po ndodhë në këtë ministri dhe pse ne duhet të heshtim, çka duhet të ndodhë tutje nga kjo ministri për të marrë masa?”.

Ai, madje thotë se nëse institucionet e vendit heshtin karshi këtyre shkeljeve, lë të nënkuptohet se janë vet ata udhëheqës, prapa tyre dhe në mbrojtje të këtyre aferave korruptive.

“Si grup parlamentar ju kërkojmë që të debatojmë hapur, të nxjerrim në pah të vërtetën dhe të nxjerrim bashkërisht një rezolutë për të na nxjerrë nga kjo situatë. Ta nxjerrë nga kjo situatë edhe ministrinë e Industrisë dhe Tregtisë, edhe pozicionin e qeverisë dhe kryeministrit Kurti nëse nuk është pas këtyre aferave”.

Ju them me përgjegjësi të plotë, vazhdon Shala, “nëse pas ditës së sotit, kryeministri Kurti dhe mazhoranca, nuk reagon, atëherë ta keni të qartë që dikush i fortë, shumë i fortë në qeveri po i qëndron mbrapa në mbulimin e këtyre aferave milionëshe në mbulimin e këtyre aferave të prekshme”.

Ekskluzive: Rozeta Hajdari nënshkroi kundërligjshëm kontratë prej miliona eurove

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore