Lajme

Ekskluzive: Rozeta Hajdari nënshkroi kundërligjshëm kontratë prej miliona eurove


Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë në Kosovë, Rozeta Hajdari ka nënshkruar kundërligjshëm një kontratë për “realizimin e projektit strategjik me subjektin Kosmonte Foods” – i cili kap vlerën e mbi 11 milionë eurove.

Ajo ka dështuar të sigurojë brenda afatit ligjor “sigurinë e shtetit karshi investimit”, në vlerë prej mbi 1 milion euro, duke shkelur kështu ligjin për Investime Strategjike në Republikën e Kosovës.

Sipas marrëveshjes së nënshkruar nga dy palët, të cilën e ka siguruar Albanian Post nga zyra për medie e MINT, thuhet se marrëveshja dypalëshe u nënshkrua më 30 dhejtor 2022.

Faqja e fundit e Marrëveshjes së nënshkruar ndërmjet Ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë në Kosovë, Rozeta Hajdari dhe pronarit të Kosmonte Foods, Lulzim Begaj

Ndërkaq “sigurimi i marrëveshjes”, pra shuma prej më shumë se 1 milion euro, sipas dokumentit bankar që ka siguruar Albanian Post, Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë i kanë kaluar në llogari 4 muaj më vonë se sa data e nënshkrimit të marrëveshjes, më 25.04.2023.

Garancioni bankar i siguruar nga Albanian Post

Sipas ligjit për Investime Strategjike në Republikën e Kosovës, konkretisht Udhëzimit Administrativ 15/2018, për Mënyrën dhe Metodat e Verifikimit të Përmbushjes së Kritereve për Përcaktimin e Statusit të Investitorit Strategjik, neni 6 pika 12 i cili thotë, “Pas vendimit pozitiv të Qeverisë së Kosovës dhe para nënshkrimit të marrëveshjes me Komisionin Ndërministror, investitori është i obliguar t’i dorëzojë Komisionit Ndërministror garancionin bankar në vlerë prej 10% të vlerës së paraparë të investimit”.

Ligji për Investime Strategjike në Republikën e Kosovës, konkretisht Udhëzimit Administrativ 15/2018

Më saktë në nenin 12 të kësaj marrëveshje, të emëruar si “Sigurimi i Marrëveshjes”, thuhet se “Investitori, para nënshkrimit të marrëveshjes, duhet të ketë të deponuar në një institucion bankar ose të sigurojë në një shoqëri sigurimesh, brenda Territorit të Republikës së Kosovës, për llogari të Autoritetit Kontraktues – në emër të garancionit- një shumë prej 1 milion e 114 mijë e 391. 82 euro, që përbën 10% të vlerës totale të investimit.

“Sigurimi i Marrëveshjes” shërben për të garantuar zbatimin në mënyrë të duhur dhe brenda afatit të parashikuar, të detyrimeve të Investitorit në lidhje me përfundimin e investimeve.

Për çfarë marrëveshje bëhet fjalë?

Me këtë marrëveshje Rozeta Hajdari i ka dhënë “Kosmonte Foods” në shfrytëzim katër parcela të tokës të cilat në total kapin sipërfaqe prej 99.800 metër katrorë, parcela të tokës në Harilaq të komunës së Fushë Kosovës, për 99 vjet – në shfrytëzim.

Për investime strategjike në asete fizike, siç thuhet në kontratën e nënshkruar, “për grumbullimi, trajtimin, ruajtjen e pemëve dhe perimeve, përpunimin e tyre dhe tregtimin e produkteve bujqësore si dhe përpunimin e mishit të shpezëve”.

Pjesë e shkëputur nga Marrëveshja e nënshkruar ndërmjet Ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë në Kosovë, Rozeta Hajdari dhe pronarit të Kosmonte Food, Lulzim Begaj

Lajmin e “gëzueshëm”, ministrja Rozeta Hajdari e kishte ndarë në Facebook, ndër të tjera duke thënë se “nga ky projekt strategjik parashihet të hapen së paku edhe 300 vende të reja pune”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore