Lajme

Rozeta Hajdari “nuk bëhet rehat”, shkarkon u.d. sekretarin e ministrisë Rexhep Bllaca


Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, nuk po bëhet rehat me ushtrues detyre të sekretarit të ministrisë.

Së fundi ajo ka “liruar nga detyra” u.d., sekretarin, Rexhep Bllaca.

Nuk dihet arsyeja e shkarkimit, por burime të Albanian Post, brenda ministrisë, bënë të ditur se vendimin për lirim nga detyra, u.d., sekretari e ka pranuar këtë të hënë.

Rexhep Bllaca, ushtroi funksionin e ushtruesit të detyrës së sekretarit të ministrisë nga 23 gushti i vitit 2022, për tetë muaj rresht.

Megjithatë, Rexhep Bllaca nuk do të shkëpusë të gjitha marrëdhëniet me këtë institucion. Ai do të vazhdojë të kryej funksionin e Drejtorit të Departamentit Ligjor në këtë ministri, ashtu siç bënte deri në momentin e emërimit si u.d., sekretar.

Lajmin për shkarkim të Bllacës, Albanian Post e kishte mësuar para pesë ditësh, për çka kishte kërkuar sqarime nga ministria në fjalë.

Por zyra për medie e kësaj ministrie, përmes postës elektronike, kishte thënë se nuk është e vërtetë që Bllaca është shkarkuar.

“Zëvendësuesi i sekretarit i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, z.Rexhep Bllaca ndodhet në udhëtim zyrtar jashtë vendit, ndërsa pretendimet se është shkarkuar nuk qëndrojnë”, thuhej në përgjigjen e MINT dërguar në Albanian Post më 17 maj.

Megjithatë Bllaca nuk është i vetmi sekretar i shkarkuar nga ministrja.

Që nga marrja e detyrës si Ministre e MINT, para dy vitesh, Rozeta Hajdari ka ndërruar katër ushtrues detyre të sekretarit.

Para Rexhep Bllacës, u.d., sekretar ose – zëvendës sekretar ishte Arbër Gegaj. Ky mori detyrën më 6 maj të vitit të kaluar, duke zëvendësuar Irfan Lipovicën, të cilin ministrja Hajdari e kishte shkarkuar po të njëjtën ditë, pas publikimit të disa shkrimeve se ai u shkollua me para të një projekti nga ministria.

Para Lipovicës, pozitën e ud., sekretarit e kishte Gentiana Islamaj.

Pozita e Sekretarit të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë e Tregtisë, është pa sekretar që nga fillimi  i mandatit të dytë të Rozeta Hajdarit si ministre e MINT.

Për të mos e lënë pozitën vakante, ajo ka emëruar drejtor të drejtorive nga brenda ministrisë, si ushtrues detyre të sekretarit, pasi që akoma nuk e ka përzgjedhur askë në këtë pozitë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore