Lajme

Shkarkohet nga pozita e drejtorit, Haliti: S’jam përgjegjës për skandalin me foshnjën, VV-ja ndërhyu politikisht


Ish-drejtori Mjekësor në Spitalin e Pejës, Muhamet Haliti, ka reaguar pas shkarkimit këtë të shtunë duke thënë se nuk është përgjegjës për rastin e foshnjës së vdekur.

Haliti përmes një postimi në Facebook ka hedhur akuza në drejtim të partisë që ushtron pushtetin ekzekutiv, Lëvizjes Vetëvendosje, duke thënë se ka ndërhyrë politikisht në shkarkimin e tij.

“Besoj se në këtë shkarkim të padrejtë timin ka ndërhyrje politike pasi që përgjegjësi kryesor është Z.S.Kelmendi e që është një militant i partisë politike VV, ndërsa shefi i shërbimit teknik është kushëri i afërt i drejtorit ekzekutiv”.

“Prandaj në papërvojën e menaxhimit të drejtorit ekzekutiv z.Fazli Shala dhe i ndikuar nën presion e partisë politike duke filluar nga drejtoresha e SHSKUK-së dhe ushtruesja e detyrës së Ministres së Shëndetësisë është detyruar të marrë këtë vendim për ta shfajësuar përgjegjësinë e tyre morale për dorëheqje”, shtoi ai.

Haliti theksoi se rasti me foshnjën e vdekur në këtë spital nuk përputhet aspak me përgjegjësitë dhe detyrat e drejtorit mjekësor.

“Deri sa drejtori mjekësor është përgjegjës i punës së mjekëve, e në rastin në fjalë personeli mjekësor nuk e neglizhoi rastin duke e përfunduar kujdestarinë atë natë me përgjegjësi të plotë”.

Rastin në fjalë, sipas tij, personeli mjekësor nuk e ka neglizhuar, por ka kryer ekzaminimin e pacientës, operimin, ia ka dhënë terapinë dhe gjithçka lidhur me të është dokumentuar.

Ai është shprehur i befasuar që një vendim i tillë është marrë gjatë shfrytëzimit të ditës së vikendit, pasi siç ka thënë, vendimet nuk mund të merren në vikend.

“Vendimet nuk mund të merren në vikend, meqë Zyra e Protokollit dhe e Vulës është e mbyllur e njoftimi për shkarkim pa vendim zyrtar konsideroj se është shkelje ligjore”.

Tutje, Haliti potencoi se drejtori ekzekutiv nuk ka ndërmarrë asnjë masë dhe rrjedhimisht përgjegjësia bie mbi të.

“Kjo përgjegjësi bie drejtpërdrejtë mbi ushtruesin e detyrës të drejtorit të administratës Z.Selman Kelmendi. Shefit të shërbimit Teknik Z. Ardian Shala dhe mbikëqyrësit të higjienës Z.Hysë Kastrati”.

“Ndaj të cilëve drejtori ekzekutiv nuk ka ndërmarrë kurrfarë masa për shkak të bindjes politike dhe farefisit që ka me përgjegjësit kryesorë”.

Në fund, Haliti ka paralajmëruar se do të bëjë ankesë ligjore lidhur me këtë vendim dhe duke shtuar se “shpresoj që drejtësia do të marrë vendimet e duhura”.

Skandali me foshnjën – shkarkohen edhe drejtori mjekësor dhe ai për infermieri në Spitalin e Pejës

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore