Jetesë & Stil

Shitjet online po sfidojnë bizneset tradicionale


Gjatë katër viteve të fundit, tendenca e bizneseve për të shitur online në Shqipëri është rritur ndjeshëm. Me zhvillimin e teknologjisë, dhe përhapjen e rrjeteve sociale shitjet online janë shtuar.

Kjo është një sfidë dhe tendencë e re në tregun Shqiptar. Albanian Post ka kontaktuar me disa dyqane, të cilat operojnë me shitje online.

Shumica e shitësve, thanë se janë të kënaqur me shitjet që bëjnë. Kjo tendencë duket që po sfidon edhe dyqanet tradicionale.

Sadik Jaupllari shitës në tregun e medreses tha “ Kam vite që merrem me tregtim, kryesisht me shitjen e rrobave. Por gjatë tre viteve të fundit kemi pasur një rënie të ndjeshme të shitjeve pasi, njerëzit duket që janë të orientuar më shumë drejt blerjeve online”.

Tashmë në tregun shqiptar shitjet e rrobave që operojnë vetëm online janë shtuar. Disa nga këto janë: “Tirana Fashion” , “ Gaxha butik” , “ Leds Store”, “Boutique Wonted”, “Blero Fashion”, “Divin shop online” e shumë të tjerë.

Grupmosha që bën më shumë blerje sipas shitëseve janë nga 20-38 vjeç. Rreth 60% janë femra.

Megjithatë në këtë mes ekziston informaliteti. Në këtë sektor, specifika e të cilit krijon mundësinë që kushdo të mund të shesë nga shtëpia, pa u regjistruar në Qëndrën Kombatare të Biznesit (QKB) e pa ofruar asnjë lloj garancie për produktet që shiten.

Kjo favorizohet edhe nga disa kompani shpërndarje, të cilat operojnë me cash dhe jo nëpërmjet bankave. Për pasojë vihen në vështirësi bizneset që janë formale dhe taksapagues, duke ngadalësuar rritjen.

Sipas të dhënave nga Instagram, vetëm në një muaj, rreth 90 milionë llogari kanë klikuar në postimin e një produkti të caktuar për të mësuar më shumë detaje rreth tij.

Facebook dhe Instagram mundësojnë mjetet e nevojshme për biznesin që të reklamojnë produktet në një treg më i gjerë se sa dyqanet fizike.

Eliona Gaxha pronare “Gaxha Butik” shprehet , “ Njerëzit janë të zënë, në punë të ndryshme, pëlqejnë diçka në rrjetet sociale, dhe nuk ngurrojnë ta marrin. Kjo j’u krijon më shumë lehtësira dhe i siguron një cilësi të mirë në varësi të çmimeve që kërkojnë”

Pra rrjedhimisht tendenca për të blerë oline lidhet në një farë mënyre edhe me kohën e zënë që kanë njerëzit.

Blerjet online kanë ndikuar edhe në rritjen e kërkesave për karta krediti. Megjithatë pavarësisht rritjeve që kanë pësuar blerjet online kohët e fundit, Shqipëria në krahasim me Evropën renditet ndër të vendet e fundit për këto blerje sipas Anketës së cilësisë së jetës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore