Shqipëria

Shijak/ Rama inspekton vaksinimin e mësuesve


Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, kanë qenë të pranishëm në Shijak në vaksinimin e arsimtarëve.

Për qytetin e Shijakut, vaksinimi ka nisur në një nga kopshtet publike.

“Kemi filluar me edukatoret e çerdheve dhe kopshteve dhe kemi arritur në 20 mijë arsimtarë të arsimuar në gjithë bashkitë” theksoi Manastirliu. “Në tërësi kemi kryer 62 mijë vaksinime”.

Ministrja ka bërë me dije gjithashtu se prej ditës së nesërme, do të fillojë edhe vaksinimi masiv. Fillimisht vaksinimi do të nisë nga moshat më të mëdha dhe më pas do të shtrihet sipas grupmoshave dhe kategorive të caktuara.

Me mbërritjen e 192 mijë dozave të vaksinës kineze Sinovac, Shqipëria ka aktualisht mbi 200 mijë doza. Me anë të tyre, do të fillojë vaksinimi aktiv në gjithë vendin.

Ndërkohë në total, janë kontraktuar mbi 2.2 milionë doza nga gjithë kompanitë.

Nga gjithë dozat, mbi gjysma e tyre janë prej prodhuesve kinezë. Një pjesë tjetër e madhe janë dozat e AstraZenecas dhe ato nga Pfizer, mbi 500 mijë të tilla.

Kryeministri deklaroi të enjten e 25 marsit gjithashtu se po punohet për ngritjen e një fabrike farmaceutike në Shqipëri.

Kjo fabrikë do të ngrihet me ndihmën e kompanisë turke, e cila bëri të mundur marrjen e vaksinave kineze.

Sipas Ramës, në të nuk do të prodhohet vetëm medikamenti anti-covid, por edhe të tjerë. Ndër to, vaksinat e ndryshme si ajo për gripin, hepatitin etj..

“Vaksinimi në Shqipëri nuk do të jetë i detyrueshëm”, ka pohuar Rama. Ai premtoi ndër të tjera se brenda qershorit do të ketë përfunduar procesi për 500 mijë shqiptarë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore