Lajme

Shënohet një rënie e lehtë e skemës me ndihmë sociale, 25 mijë e 805 familje kanë përfituar


Ilustrim

25 mijë e 805 familje me 102 mijë e 958 anëtarë kanë përfituar ndihma sociale nga shteti në tre mujorin e dytë të vitit 2021 bazuar në të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës.

Ndërsa nga skema për mbështetje materiale familjeve që kanë fëmijë me aftësi të kufizuara kanë përfituar 2 mijë e 496 familje.

Në tre mujorin e dytë të këtij viti, gjithnjë sipas të dhënave të ASK-së, vërehet një rënie e vogël e përfituesve të ndihmave sociale. Në janar të këtij viti 25 mijë e 768 familje kanë përfituar ndihmë sociale, në shkurt 26 mijë e 120, ndërsa në mars 26 mijë e 298, që edhe përmbyllet tre mujori i parë i vitit.

Ndërsa në muajin prill kanë përfituar 26 mijë e 33 familje, në maj 25 mijë e 921 dhe në qershor 25 mijë e 805.

Qyteti me më së shumti familje që përfitojnë ndihma sociale vazhdon të mbetet Mitrovica, me 2 mijë e 345 familje me 9 mijë e 668 anëtarë.

Ndërkaq, nga skemat pensionale rezulton se: “nga skema e pensioneve bazë të moshës janë 144 mijë e 587 përfitues; nga skema e pensioneve kontributpaguese të moshës janë 49 mijë e 403 përfitues; nga skema për pensionet familjare janë 3 mijë e 606 përfitues; nga skema për pensionet invalidore janë 74 përfitues; nga skema për pensionet e Trepçës janë 2 mijë e 168 përfitues; nga skema e pensioneve të Trupave Mbrojtëse të Kosovës janë 1 mijë e 205 përfitues”.

“Nga skema e pensioneve për Forcën e Sigurisë së Kosovës janë 607 përfitues; nga skema e kompensimeve për personat e verbër janë 1 mijë e  790 përfitues; nga skema e pensioneve për personat me aftësi të kufizuara janë 18 mijë e 983 përfitues”.

“Nga skema për pensionet e personave paraplegjikë dhe tetraplegjikë janë 2 mijë e 602 përfitues; nga skema për familjet e dëshmorëve dhe invalidët e luftës janë 13 mijë e  416 përfitues; dhe nga skema për veteranët e luftës janë 37 mijë e 892 përfitues. Ndërsa nga skema e viktimave civile janë 934 përfitues”.

Në mbledhjen e fundit të Qeverisë së Kosovës është vendosur që shtesa t’iu ndahen edhe fëmijëve, por ende nuk janë bërë të njohura detajet.

Bazuar në ndarjen e buxhetit nga Qeveria e Kosovës, 370 milionë euro shkojnë për ndihma sociale dhe kategori të ndryshme që përfitojnë nga buxheti i shtetit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore