Shqipëria

Shëndeti mendor në binomin e parandalimit dhe kurimit


“Fatkeqësisht, shqiptarët akoma e lidhin shërbimin psikologjik me atë psikiatrik dhe gjithë stigmën që mbart në vetvete shëndeti mendor”.

Kështu e nis shpjegimin e tij për Albanian Post, psikologu Altin Nika, lidhur me shëndetin mendor.

E megjithatë, duke e kthyer kokën pas, e tashmë duke studiuar realitetin, gjërat kanë ndryshuar për mirë.

“Me kalimin e viteve kemi venë re një rritje të personave që kërkojnë shërbim psikologjik. Mediat vizive dhe sociale, kanë luajtur një rol të rëndësishëm në ketë proces. Gjatë 10 viteve eksperiencë në fushën psikologjike, kam parë ndryshime të mëdha në pranimin dhe kërkesën për të marrë shërbime psikologjike”.

Kështu mendon edhe psikologe Orjola Rakipi, e cila ndërgjegjësimin e lidh me dy fenomene: Tërmeti dhe pandemia COVID- 19.

“Mbetet me rëndësi të punohet për të parandaluar stigmën që ndodh ndaj individëve që mbështeten me seanca këshillimi apo terapeutike”.

Sipas Nikës, “para 10 viteve, akoma flisnim vetëm për përfshirje sado të vogël të psikologut në shkolla”.

“Sot flasim për psikologë që po shkojnë në raportin: një psikolog për një shkollë. Gjërat kanë evoluar, bashkë me rritjen e kapaciteteve që kanë psikologët në shkolla. Hera e fundit ku janë pranuar psikologë të rinj në shkolla është muaji shtator 2022. Pra çdo herë e më shumë po hapen vende të reja dhe mundësi të reja”, shpjegoi ai.

Edhe Rakipi tha se me kalimin e muajve po merr rëndësinë që duhej të merrte më herët në kohë profesioni i psikologut.

Orjola Rakipi, psikologe

“Aktualisht po punohet në përfshirjen e psikologut në disa instanca dhe kjo është shume pozitive. Për sa i përket psikologut nëpër shkolla ka një ulje të numrit të nxënësve në ngarkim dhe shtim edhe të një psikologu tjetër shkollor apo punonjësit social (sipas nevojave të institucionit arsimor)”.

Ndodh që për një problem të caktuar mjekësor, por jo vetëm, drejtimi për në instanca merr kohë. Merr kohë për shkak të neglizhencës dhe pritjes së “pikës së pikut”.

“Kultura jonë mjekësore në përgjithësi mbart në vetvete shkuarjen tek mjeku specialist vetëm kur gjendja është kritike. Ne nuk kemi akoma konceptin e parandalimit në kohë. Bota ka vite që investon në sisteme parandalimesh. Nuk janë pa shkak parandalimet e hershme. Ato në vetvete ulin kostot mjekësore për ndërhyrje të vona dhe minimizojnë dëmet potenciale në shëndetin e pacientit”, tha psikologu.

Altin Nika, psikolog

Bazuar në ato çështje që referohen më së shumti, Nika shpjegoi se ka përhapje të çrregullimeve emocionale tek moshat e reja, të cilët nuk arrijnë për shumë arsye të përballojnë rregullat dhe dinamikat jetësore.

“Problemet socio-ekonomike, sjellin rrjedhimisht dhe çrregullime emocionale. Janë goditje të cilat sjellin luhatje të forta emocionale. Nga këto më pas kemi devijimet në përdorim substancash apo alkooli, duke thelluar akoma më shumë dëmet tek vetja dhe tek familjarët”.

Ndër të tjera, Rakipi theksoi se në dijeninë e saj në Tiranë ka disa qendra/ klinika private që ofrojnë shërbim duke filluar nga vlerësimi psikologjik dhe tek ndërhyrja me seanca këshillimi apo terapie.

E megjithatë, përpos mungesës, ka edhe përparim…

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore