Lajme

Shefi spanjoll i spiunazhit konfirmoi hakerimin nga “spiuni spyware” – katalanasit kërkojnë përgjigje


Drejtoresha e agjencisë spanjolle të inteligjencës, Paz Esteban. ©: Juan Carlos Hidalgo/EPA

Qeveria katalanase po bën thirrje për përgjigje “nga niveli më i lartë”, pasi thuhet se kreu i Qendrës Kombëtare të Inteligjencës të Spanjës (CNI)  konfirmoi se 18 anëtarë të lëvizjes rajonale të pavarësisë u spiunuan me miratim gjyqësor.

Pranimi i dukshëm – në një komitet të Kongresit – erdhi dy javë pasi ekspertët e sigurisë kibernetike thanë se të paktën 63 persona, të lidhur me lëvizjen për pavarësinë e Katalonjës, ishin shënjestruar ose infektuar me spiunin “spyware Pegasus”, dhe tri ditë pasi qeveria spanjolle tha se telefonat e Kryeministrit dhe Ministrit të Mbrojtjes ishte shënjestruar me “Pegasus”.

Megjithëse dëshmia e Paz Esteban në komitetin e sekreteve zyrtare u dha me dyer të mbyllura, burime të partive politike u thanë mediave spanjolle se drejtori i CNI-së kishte konfirmuar se 18 nga 63 aktivistët katalanas të përmendur në një raport të “Citizen Lab” në fund të prillit ishin spiunuar ligjërisht dhe me miratimin gjyqësor përkatës.

Sipas raportimeve, një nga ata që u vunë në shënjestër ishte presidenti aktual rajonal katalanas, Pere Aragonès – edhe pse nuk është e qartë nëse ai ishte spiunuar para ose pas ardhjes në pozicionin e tij aktual.

Është gjithashtu e paqartë nëse programi, që supozohet se është përdorur, ishte Pegasus, i cili sipas prodhuesve të tij u shitet vetëm qeverive për të gjurmuar kriminelët dhe terroristët.

Gabriel Rufián, zëdhënës i partisë pro-pavarësisë së Aragonès-it të Majtës Republikane Katalonase (ERC), i cili ishte në seancën dëgjimore të komisionit, ofroi detaje të ruajtura pas largimit nga seanca të enjten.

Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez.

Ai tha se ajo që komisioni kishte dëgjuar, ishte në përputhje me atë që ishte zbuluar tashmë dhe se provat tregonin në dy drejtime.

“Në thelb, se ai vinte nga një vend i huaj, ose se ishin agjenci shtetërore që vepronin përtej kufijve të tyre ligjorë”.

Në një postim të mëvonshëm, Rufián shtoi: “1) Nuk ka sekrete – qofshin ato zyrtare apo jozyrtare. 2) Asgjë nuk u tha që CNI-ja nuk ka rrjedhur tashmë. 3) Ka vetëm dy mënyra: ose ishte një vend tjetër ose ishte një agjenci shtetërore. Dhe numri tre është një interpretim. E përsëris, një ‘INTERPRETIM’”.

Sipas raportit të “Citizen Lab”, Aragonès dhe tre paraardhësit e tij pro-pavarësisë ishin në mesin e më shumë se 60 individëve, telefonat e të cilëve ishin shënjestruar ose infektuar me spiun mercenar, duke përdorur tekste të rreme ose mesazhe WhatsApp.

Pothuajse të gjitha incidentet ndodhën midis 2017-ës – viti i përpjekjes së dështuar për pavarësinë e Katalonjës – dhe 2020-ës.

Aragonès tha se zbulimet konfirmuan dhe përkeqësuan “seriozitetin e rastit të spiunazhit masiv kundër institucioneve katalanase dhe lëvizjes për pavarësi” që “Citizen Lab” kishte zbuluar.

Të mërkurën, Aragonès – nga partia e të cilit qeveria e koalicionit të udhëhequr nga socialistët e Spanjës varet për mbështetjen parlamentare – tha se skandali i spiunazhit po “dinamizonte” përpjekjet për të gjetur një zgjidhje të negociuar për krizën e pavarësisë katalanase.

Presidenti katalanas Pere Aragonès

Çështja ka shkaktuar gjithashtu përçarje midis partisë Socialiste dhe partnerëve të saj të vegjël në aleancën Unidas Podemos, të cilët kanë kërkuar dorëheqjen e ministres së Mbrojtjes, Margarita Robles, departamenti i së cilës mbikëqyr CNI-në.

Ka pasur pyetje, gjithashtu, se pse qeveria zgjodhi të zbulonte se telefoni i Robles dhe ai i kryeministrit, Pedro Sánchez, ishin hakuar, një vit pasi u bë shënjestrimi i dukshëm.

Të martën, Partia e Punëtorëve Socialiste Spanjolle (PSOE) e Sanchez-it iu bashkua tri partive në të djathtën spanjolle, duke vënë veton ndaj një hetimi parlamentar për skandalin “Pegasus”.

Spiunimi i supozuar është kritikuar nga “Amnesty International”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore