Lajme

Shefi i OSBE-së në Kosovë takon Daçiç: Është e nevojshme të ruhet paqja


Michael Davenport dhe Ivica Daçiç

Shefi i Misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim (OSBE) në Kosovë, Michael Davenport, të premten ka takuar ministrin e Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç, në Beograd.

Kështu të paktën ka lajmëruar përmes një cicërime në Twitter, Ministra e Punëve të Jashtme të Serbisë.

Sipas MPJ-së serbe, Davenport dhe Daçiç, kanë rënë dakord që është e nevojshme ruajtja e paqes në Kosovë si dhe zvogëlimi i tensioneve në terren në atë mënyrë që të jepet hapësirë dialogut ndërmjet dy shteteve.

“U theksua rëndësia e punës së OSBE-së dhe veçanërisht respektimi i parimit të neutralitetit të statusit” thuhet në njoftimin e MPJ-së serbe.

Policia e Kosovës, pas situatës së tensionuar në pjesën veriore të Kosovës ditëve të fundit, ka shtuar prezencën e saj në këtë zonë ndërsa pjesëtarë të Policisë kanë filluar patrollimin në këmbë, përkatësisht në “Lagjen e Boshnjakëve” në Mitrovicën e Veriut.

Megjithatë njësitet policore gjatë patrullimit kanë hasur në rezistencë të grupeve të ndryshme të armatosura dhe të maskuara.

Si pasojë e kësaj një polic i Kosovës gjatë patrullimit në Veri është plagosur.

Sulmi ka ndodhur rreth orës 23:00 thuhet në njoftimin e policisë, në fshatin Serbovc, në Komunën e Zveçanit të banuar me shumicë serbe.

“Njësitet policore deri sa kanë qenë në detyra të rregullta, në patrullim, janë sulmuar nga persona të armatosur me armë të gjata, nga një automjet i tipit Audi, ngjyrë hiri, me targa KM”, thuhet në raportin e Policisë për media.

Rritja e forcave policore atje, ka ardhur pas rastit në zyrat e anëtarëve komunalë zgjedhorë, pasi përkundër se në përcjellje të policisë ata nuk u lejuan të futen në vendet e tyre të punës.

Në anën tjetër komuniteti ndërkombëtar, më saktësisht Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, ambasadori amerikan dhe ai gjerman në Kosovë, kanë kërkuar shtyrjen e zgjedhjeve në këtë fazë në Veri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore