Lajme

SHBA-të thonë se kanë vrarë një udhëheqës të lartë të Shtetit Islamik në Siri


Shtetet e Bashkuara kryen një operacion ushtarak që vrau një udhëheqës të lartë të Shtetit Islamik në Siri të hënën, tha të martën Komanda Qendrore e SHBA-ve (CENTCOM).

Kjo ishte goditja më e fundit ndaj një grupi që dikur shkaktoi frikë në të gjithë Lindjen e Mesme.

Lajmi u bë i ditur nga agjencia “Reuters”.

Khalid ‘Aydd Ahmad al-Jaburi ishte përgjegjës për planifikimin e sulmeve të Shtetit Islamik në Evropë dhe zhvilloi strukturën udhëheqëse për grupin, thuhet në deklaratë.

Shteti Islamik kontrollonte pjesë të Irakut dhe Sirisë në kulmin e fuqisë së tij në vitin 2014 përpara se të mposhtej në të dy vendet.

Grupi vlerësohet të ketë 5 mijë deri në 7 mijë anëtarë dhe mbështetës të shpërndarë midis Sirisë dhe Irakut, afërsisht gjysma e tyre luftëtarë, tha një raport i OKB-së në shkurt.

Asnjë civil nuk u vra apo u plagos në këtë sulm, tha CENTCOM, duke shtuar se grupi “vazhdon të përfaqësojë një kërcënim për rajonin dhe më gjerë”.

“Edhe pse i degraduar, grupi mbetet në gjendje të kryejë operacione brenda rajonit me dëshirën për të goditur përtej Lindjes së Mesme”, thuhet në deklaratë.

Ai shtoi se vdekja e al-Jaburi do të “prish përkohësisht aftësinë e grupit për të komplotuar sulme të jashtme”.

Raporti i OKB-së tha se kërcënimi i paraqitur nga Shteti Islamik dhe degët e tij për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare ishte i lartë në gjysmën e dytë të vitit 2022 dhe ishte rritur brenda dhe përreth zonave të konfliktit ku ai ka një prani.

Në fund të vitit të kaluar, Shteti Islamik njoftoi se kishte emëruar një figurë të panjohur më parë – Abu al-Hussein al-Husseini al-Quraishi – si udhëheqës të tij pasi udhëheqësi i mëparshëm u vra në Sirinë jugore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore