Lajme

SHBA-të s’kanë detaje të hollësishme për arrestimet e tre serbëve në Kosovë, thotë Hill  


Christopher Hill

Shtetet e Bashkuara të Amerikës s’kanë shumë detaje rreth vendimit të Prokurorisë Speciale të Kosovës mbi arrestimin e tre personave të komunitetit serb, nën dyshimet për kryerje të “krimeve të luftës kundër popullsisë civile”.

Kështu të paktën ka deklaruar ambasadori i SHBA-ve në Serbi, Christopher Hill, kur u pyet për vendimin e Prokurorisë Speciale, i cili caktoi masën e ndalimit deri në 48 orë për tre të arrestuarit, pa specifikuar se për çfarë krime lufte akuzohen ata.

“Ata thuhet se janë të lidhur me krime që dyshohet se kanë ndodhur 30 vjet më parë”, tha diplomati amerikan për agjencinë e lajmeve serbe, Tanjug.

Hill theksoi se do t’ua lërë të tjerëve të konkludojnë pse arrestimet pasuan menjëherë pas raundit të pasuksesshëm të dialogut në Bruksel.

“Do të doja të shihja më shumë diskutime për bashkëpunim dhe më pak për arrestime”, shtoi ai.

Lidhur me këto arrestime, një ditë më parë, ka reaguar Lista Serbe dhe e ashtuquajtura Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.

Sipas tyre, arrestimet janë të motivuara politikisht.

“Është e qartë se Kurti po vazhdon me planin e tij për ta përdorur dhunën dhe forcën për t’i zgjidhur çështjet e hapura politike dhe për t’i trajtuar serbët në Kosovë si pengje në procesin e negociatave”, thuhej në reagimin e Listës Serbe.

Edhe e ashtuquajtura Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë tha se këto arrestime janë bërë “me qëllim të shkaktimit të tensioneve dhe krizave të reja në terren”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore