Lajme

SHBA-të sanksionojnë biznesmenin turk, për lidhjet me forcat iraniane


Administrata Biden të enjten do të vendosë sanksione ndaj biznesmenit të shquar turk Sitki Ayan dhe rrjetit të kompanive të tij.

Ai akuzohet se vepron si ndërmjetësues për shitjen e naftës dhe pastrimit të parave në emër të Korpusit të Gardës Revolucionare të Iranit (IRGC).

Lajmi u bë i ditur nga agjencia “Reuters”.

Sipas një deklarate të Thesarit Amerikan që do të publikohet më vonë të enjten dhe e parë nga “Reuters”, kompanitë e Ayan kanë krijuar kontrata ndërkombëtare të shitjes për naftën iraniane.

Ndër të tjera ato kanë rregulluar dërgesat dhe kanë ndihmuar në pastrimin e të ardhurave dhe kanë fshehur origjinën e naftës iraniane në emër të Forcave Quds të Iranit (një krah i IRGC-së).

Veprimi i Thesarit do të ngrijë çdo pasuri të të caktuarëve dhe në përgjithësi do t’i ndalojë amerikanët të merren me ta.

Ata që përfshihen në transaksione të caktuara do të rrezikonin gjithashtu të goditeshin me sanksione.

Masat e SHBA-ve vijnë në një kohë kur lidhjet midis Shteteve të Bashkuara dhe Turqisë janë të tendosura për një sërë çështjesh, duke përfshirë mosmarrëveshjen mbi politikën e Sirisë dhe blerjen e sistemeve ruse të mbrojtjes ajrore nga Ankaraja.

Së fundmi, Washington-i ka paralajmëruar Turqinë që të përmbahet nga kryerja e një inkursioni ushtarak në Sirinë veriore.

Kjo, pasi Ankaraja tha se po përgatiste një pushtim të mundshëm tokësor kundër milicisë kurde siriane YPG.

Turqia e konsideron si organizatë terroriste, por YPG-ja përbën pjesën më të madhe të sirianëve të mbështetur nga SHBA-të, Forcat Demokratike (SDF).

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore