Lajme

SHBA-të e kritikuan, por Krasniqi ia shpreh edhe ambasadorit francez rezervat për propozimin franko-gjerman


Memli Krasniqi dhe Olivier Guerot

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, të mërkurën ka pritur në takim ambasadorin e Francës në Kosovë, Olivier Guerot, me të cilin ka diskutuar rreth situatës aktuale politike në vend dhe zhvillimeve në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Krasniqi përmes llogarisë së tij në Facebook njoftoi se edhe diplomatit francez ia shprehu qëndrimin e tij rreth këtij procesi dhe rezervat që i kanë shfaqur lidhur me propozimin evropian për të cilin është pajtuar kryeministri Albin Kurti.

“Ambasadorit Guerot, i shpreha qëndrimet e PDK-së rreth këtij procesi dhe rezervat që i kemi shfaqur edhe publikisht lidhur me marrëveshjen aktuale të prezantuar, duke u fokusuar posaçërisht në mungesën e njohjes së ndërsjellë si rezultat përfundimtar i procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, shkroi ai.

“PDK mbetet e përkushtuar për bashkëpunim të vazhdueshëm dhe koordinim konstruktiv me aleatët tanë ndërkombëtarë, gjithmonë në funksion të arritjes së qëllimeve tona shtetërore”, shtoi ai.

Ambasadori i francez para një dite ka kërkuar nga partitë opozitare – Partia Demokratike dhe Lidhja Demokratike e Kosovës – që ta shohin formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe nga një perspektivë më të gjerë.

“Ne siç kemi kërkuar nga Qeveria e Kosovës, kërkojmë njëjtë edhe nga opozita që ta shohin çështjen e Asociacionit nga një perspektivë më të gjerë, ta shohin fotografinë e madhe dhe t’i vlerësojnë përpjekjet që komuniteti ndërkombëtar po bën për Kosovën dhe Serbinë”, kishte deklaruar ai.

Ndryshe, dy partitë më të mëdha opozitare vlerësojnë se propozimi evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi nuk është në favor të Kosovës, pasi s’e ka njohjen reciproke në qendër, por formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Kjo gjë ka shqetësuar edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës të cilët në një përgjigje me shkrim për mediat në Prishinë, kanë deklaruar se qëndrimet e partive më të mëdha opozitare në vend nuk përputhen me qëndrimet amerikane.

“Jemi të shqetësuar me deklaratat e bëra nga drejtues dhe zyrtarë të partive opozitare që shprehin kundërshtimin e tyre ndaj propozimit të BE-së”, tha një zëdhënëse e ambasadës amerikane në Prishtinë. “Këto pikëpamje nuk përputhen me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për propozimin”.

Emisari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, të enjten dhe të premten do të qëndrojë në Prishtinë për takime me liderë të institucioneve të Kosovës, por edhe me përfaqësues të opozitës.

Në takimin e nivelit të lartë në Bruksel mes kryeministrit Kurti dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiç, u arrit një dakordim që Kosova dhe Serbia të zhvillojnë një proces negociator mbi bazën e 11 pikave të atij që quhet tash zyrtarisht “Marrëveshja për rrugën e normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë”.

Marrëveshja do të përmbajë edhe një Aneks që synon të sigurojë zbatimin e të gjitha dispozitave të saj. Aneksi ka mbetur që të negociohet. Në momentin që ka pajtim për Aneksin, i gjithë instrumenti, Preambula, 11 nenet dhe dispozitat për implementimin mund të nënshkruhen.

Çështja më e rëndësishme në marrëdhëniet ndërshtetërore mes Kosovës dhe Serbisë vazhdon të mbetet Asociacioni i Komunave me shumicë serbe, derisa më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut, palët duhet të pajtohen me krejt çfarë u është kërkuar nga BE-ja dhe SHBA-të.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore