Lajme

SHBA/ Trump-Flynn, priten gjoba


Departamenti i Mbrojtjes në SHBA ka përmbyllur një hetim të gjatë mbi Michael Flynn, ish-këshilltarin e Mbrojtjes së ish-presidentit Donald Trump.

Gjetjet i janë dërguar Ushtrisë Amerikane dhe, sipas të dhënave të para, mund të ketë gjoba dhjetëra mijëra dollarëshe për Trump-in dhe ish-këshilltarin e tij.

Hetimi është përqendruar kryesisht në disa episode, që përfshijnë Flynn-in në marrje dhuratash nga Rusia dhe Turqia. Këto ngjarje kanë ndodhur përpara përfshirjes së tij në administratën Trump. Gjithsesi, në bazë kushtetuese, kjo është e palejueshme, për shkak të postit që ka mbajtur më parë në ushtri.

Hetimi, i hapur në prill 2017, ishte lënë pezull prej tre vjetësh. Kjo, për shkak se një skandal edhe më i madh përfshiu SHBA-në në atë kohë. Ndërhyrjet ruse në zgjedhjet e vitit 2016 ishin epiqendër e çdo hetimi të agjencive amerikane.

Hetimi i tanishëm ka të bëjë me pranimin e parave dhe dhuratave nga Rusia e Turqia. Flynn-i u tërhoq si gjeneral me tre yje në vitin 2014. Për shkak të këtij posti të lartë, atij i ndalohet të pranojë dhurata të tilla nga qeveritë e huaja.

Gjenerali u pushua nga administrata Trump, pasi gënjeu zëvendëspresidentin Mike Pence mbi këtë çështje. Më pas, në nëntor 2020, presidenti Trump e fali Flynn-in me fuqinë që i jepte Kushtetuta.

Episodi, të cilit hetimi i referohet më shumë, është ai i vitit 2015, kur mendohet se Flynn mori 45 mijë dollarë nga një televizion rus të kontrolluar nga Kremlini.

Të dhëna të tjera sugjestionojnë se ai i ka dhënë detaje Turqisë mbi opozitarin Fetullah Gulen. Mënyra si mund të risillet Gulen në Turqi ka qenë pjesë e bisedave.

Tashmë, pritet rishikimi nga Ushtria Amerikane mbi çështjen.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore